Në Pejë janë rreth 10 ndërtesa të vjetra kolektive banesore që po presin investime nga qeverisja komunale. Ato janë ndërtuar në vitet e 60-ta dhe që atëherë nuk është bërë asnjë investim infrastrukturor. Të gjitha janë të banueshme, por fasadat dhe çatitë janë në gjendje të mjerueshme.
Zyrtarët komunalë thonë se janë të obliguar nga Zyra e Auditimit që këto investime të realizohen vetëm përmes subvencioneve. Është njëra nga ndërtesat më të vjetra në qytetin e Pejës, por gjendja e saj infrastrukturore është dëmtuar shumë. Pamja e saj e jashtme të krijon përshtypjen e një ndërtese të braktisur, megjithëse ndodhet në qendër të qytetit dhe në të jetojnë dhjetëra familje.
Banorët thonë se për gjashtë dekada në këtë ndërtesë nuk është investuar asgjë. “Te këto banesa nuk ka investuar askush qe 65 vite, as kërkush sen nuk ka prek. Këto janë si me qenë në gjendje lufte, askush nuk është interesuar për to. Këto janë ndërtuar në vitin 1959, prej atëherë asnjë cent në to nuk e ka investuar.
Këto dy kate i kemi fasaduar me mjetet tona, ata fqinjët më lart nuk kanë dashur të kontribuojnë. Kulmi është llom, është vetëm najlon dhe tulla, kur fryn era tullat i hedh poshtë. Kemi pasur raste që tullat kanë rënë mbi vetura dhe i kanë dëmtuar”, ka deklaruar Naim Bicaj, banor. Problem shtesë për banorët janë edhe kabllot e rrymës dhe grumbullimi i mbeturinave.
“Ne jemi në gjendje të mjerueshme dhe në gazep prej mbeturinave. Për shumë ditë ato qëndrojnë në kontejner dhe nuk vijnë t’i marrin. Tash kontejnerët po i vendosin edhe para vitrinave. Prej pas luftës është kjo gjendje”, deklaroi banori Nuradin Dobroshi. Zyrtarët komunalë thonë se kanë marrë shumë ankesa nga banorët, por investime të tilla lejohen vetëm nga subvencionet.
“Ne jemi duke e themeluar këshillin banesor dhe kemi investuar në dy objekte të cilat kanë qenë si obligim nga Komuna e Pejës, mirëpo ato janë realizuar nga investimet kapitale. Por e kemi pasur një rekomandim nga auditori që ato investime duhet të bëhen nga subvencionet. Peja është shumë e kufizuar në subvencione, atëherë na ka penguar shumë.
Nëse në një të ardhme të afërt na lejohet që të investohet nga investimet kapitale, atëherë fasadimi, ndërrimi i dritareve do të jetë puna e parë që do ta bëjë kryetari”, deklaroi Valmir Deqani – Zëdhënës i Komunës së Pejës. Me fasada të dëmtuara janë edhe këto dy ndërtesa të cilat ndodhen në sheshin e Pejës.
Pamja e tyre tregon qartë se edhe aty ndërhyrjet janë bërë kryesisht me kontributin vullnetar të vetë banorëve. Në pritje të investimit nga qeverisja komunale janë rreth 10 ndërtesa kolektive të banimit në Pejë.
