Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka reaguar pas mbylljes së qumështores “Vita”, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës se po zhvillon një politikë armiqësore ndaj sektorit privat dhe prodhuesve vendorë.
Përmes një reagimi publik, Mustafa tha se zhvillimet e së enjtes në kompaninë “Vita” dërgojnë një mesazh negativ për investitorët dhe ndikojnë drejtpërdrejt në klimën e biznesit në vend. “Represioni i sotëm ndaj qumështores Vita tregon luftën që kjo qeveri po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë”, ka shkruar ai.
Mustafa ka kritikuar edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke e cilësuar si “inspektor” dhe duke e akuzuar se po i çon prodhuesit vendorë drejt mbylljes. Sipas tij, në një vend ku qeveria ka qasje armiqësore ndaj biznesit privat nuk mund të ketë as investime vendore dhe as investime të huaja.
“Nuk mund të ketë as investime vendore e as investime të huaja në një vend ku qeveria është armiqësore ndaj sektorit privat”, ka deklaruar Mustafa. Ai ka shtuar se qeveria e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, sipas tij, nuk po punon për zhvillim ekonomik dhe krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për qytetarët.
“Me këtë qasje, shihet qartë se qeveria e Albin Kurtit nuk synon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për një jetë me dinjitet në Kosovë. Përkundrazi, po ndërton një model ekonomik ku qytetarët bëhen gjithnjë e më të varur nga ndihmat e qeverisë, në vend që të krijohen kushte për punë, prodhim dhe investime”, ka përfunduar Mustafa.
