Kryetari i Istogut Ilir Ferati reagoi pas vendimit për mbylljen e Qumështores ‘Vita” në Istog, duke vlerësuar se ky vendim ka shkaktuar shqetësim të madh për shkak të pasojave të këtij veprimi te fermerët dhe punëtorët.
Po ashtu, Kryetari Ferati kërkon hapjen e menjëhershme të kësaj qumështoreje, në mënyrë që të mos dëmtohen fermerët, punëtorët dhe ekonomia lokale, ndërsa çdo çështje tjetër të trajtohet në rrugë institucionale dhe me transparencë të plotë.
Komuna e Istogut do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të fermerëve, punëtorëve dhe prodhimit vendor, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të komunës sonë. Postim i plotë: Një goditje e rëndë për ekonominë e komunës sonë Sot, qumështorja Vita është mbyllur pas një aksioni të zhvilluar nga disa inspektorate.
Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të madh në Komunën e Istogut, duke prekur drejtpërdrejt fermerët vendorë, qindra punëtorë dhe gjithë zinxhirin e prodhimit të qumështit. Vita është një nga kompanitë më të mëdha të industrisë së qumështit në Kosovë dhe partneri kryesor i shumë fermerëve të komunës sonë.
Çdo ndërprerje e funksionimit të saj sjell pasoja të menjëhershme ekonomike për familjet që jetojnë nga prodhimi dhe grumbullimi i qumështit.
