Shpërndaje në: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar ndaj protestës së fermerëve të qumështit para ndërtesës së kësaj ministrie. Në një komunikatë publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ministria ka theksuar se respekton të drejtën e tyre për të protestuar dhe e kupton situatën me të cilën po përballen.
Ministria ka bërë të ditur se fermerët nuk janë objekt i procedurave administrative që po zhvillohen, pasi ato lidhen ekskluzivisht me respektimin e detyrimeve ligjore nga operatorët e biznesit me ushqim.
Sipas ministrisë, institucionet janë duke bashkëpunuar me përfaqësuesit e sektorit për të garantuar vazhdimin e grumbullimit të qumështit të freskët dhe për të shmangur dëmet ekonomike për fermerët.
Tutje theksohet se masat e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk janë të drejtuara kundër industrisë së përpunimit, por synojnë forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në treg.
“ Ministria është duke punuar me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe me përfaqësuesit e sektorit për të siguruar që grumbullimi i qumështit të freskët të vazhdojë dhe që fermerët të mos pësojnë dëme ekonomike si pasojë e veprimeve apo vendimeve të operatorëve ekonomikë. Veprimet e ndërmarra në sektorin e qumështit nuk janë masa kundër industrisë së përpunimit.
Ato janë masa për forcimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë operatorët që veprojnë në treg”, thuhet në reagim.
Ministria njofton se ka intensifikuar kontrollet zyrtare në kufi dhe në treg, analizat laboratorike, si dhe ka vendosur raportimin e detyrueshëm për lëndët e para që përdoren në sektorin e qumështit, me qëllim garantimin e përputhshmërisë së produkteve me legjislacionin në fuqi.
Në reagim thuhet se fermerët kanë të drejtë të presin që qumështi i tyre të vlerësohet drejt dhe të mos zëvendësohet nga produkte që nuk deklarohen ose nuk përdoren sipas kërkesave ligjore, ndërsa konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve që blejnë.
Ministria ka bërë të ditur se procedurat administrative do të vazhdojnë në përputhje me ligjin dhe provat, pa u ndikuar nga presione, duke garantuar se do të punojë për të mbrojtur fermerët, konsumatorët dhe prodhimin vendor.
Gjithashtu, u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të sektorit që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet për një sektor të qumështit të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues.
