Shpërndaje në: Drejtori i qumështores “Vita”, Artan Spahija, ka thënë se rezultatet e mostrave që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i ka marrë gjatë muajit prill e maj, tregojnë që qumështi Vita është i freksët, pa përmbajtje të qumështit pluhur dhe vajit të palmës.
Spahija në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se në takimin e sotëm me ministrin e Bujqësisë, Armend Muja, u dakordua që deri më datën 13 të publikohen rezultatet e të gjitha qumështoreve. “Ne jemi duke i pritur edhe analizat e datës 2 korrik, . Deri më sot është konfirmuar se Vita është qumësht i freskët, qumësht Kosove.
Pas takimit që është zhvilluar me ministrin Muja, jemi dakorduar që deri më datën 13 të këtij muaji, ministri t’i publikoj të gjitha rezultatet e qumështit Vita, jo vetëm të qumështores tonë por edhe të tjerat. Prandaj, kemi marrë vendimin që të fillohet puna. Qumështorja është hapur”, ka deklaruar Spahija.
Spahija po ashtu ka deklaruar se kanë inspektime të rregullta porse revolta kësaj radhe ishte për shkak se në mesin e 18 personave që erdhën për inspektim, kishte edhe të paautorizuar. “Kemi inspektime të rregullta, çdo dy apo tre muaj. Vijnë vetë, hyjnë vetë në magazina, marrim mostra, bëjnë analiza dhe pa na pyetur neve fare.
Ky lloj inspektimi ishte tjetër, ishin 17-18 persona kanë qenë në vizitë. Nuk jemi kundër inspektimeve, por kundër personave të paautorizuar. Po të mos donim të na inspektonin, do t’i ndalonim te porta hyrëse”, ka thënë Spahija.
Qumështorja “Vita” ka njoftuar sot se kanë marrë rezultatet e mostrave të produkteve të qumështit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, derisa ka deklaruar se ato tregojnë se produktet e tyre nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe nuk përmbajnë vaj palme. Gjatë ditës, Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit mbajtën protestë para Ministrisë së Bujqësisë.
Fermerët protestuan me mjete bujqësore dhe derdhën qumështin para objektit të Ministrisë.
