Michael Olise raportohet se ka kërkuar një takim urgjent me drejtuesit e Bayern Munichut për të diskutuar të ardhmen e tij, pas një fushate sensacionale në Kupën e Botës që i ka rritur ndjeshëm vlerën në treg. Ndërkohë, interesimi i Real Madridit për francezin vazhdon të shtohet prapa skenave.
Olise, i cili iu bashkua Bayern Munichut nga Crystal Palace për 55 milionë euro në vitin 2024, ka qenë një nga lojtarët kyç në rrugëtimin e Francës drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026, ku do të përballet me Spanjën, duke regjistruar gjashtë asistime.
Sipas “El Debate”, Olise ka kërkuar një takim me presidentin e Bayern Munichut, Herbert Hainer, menjëherë pas përfundimit të turneut për të përcaktuar të ardhmen e tij.
Edhe pse aktualisht është i përqendruar te detyrat me kombëtaren franceze, ai raportohet se është i vetëdijshëm për interesimin e madh që kanë ngjallur paraqitjet e tij dhe dëshiron që statusi dhe paga e tij të pasqyrojnë pozitën e re që ka fituar në futbollin botëror.
Presioni vjen edhe nga brenda kampit të Francës, ku disa nga bashkëlojtarët e tij thuhet se po veprojnë si “ambasadorë” jozyrtarë të Real Madridit. Kylian Mbappe, Aurelien Tchouameni dhe Ibrahima Konate raportohet se po e inkurajojnë Olisen t’i bashkohet projektit në “Bernabeu”.
Lidhja në fushë mes Mbappes dhe Olises ka qenë një nga pikat më të forta të verës me kombëtaren, ndërsa anësori thuhet se tundohet nga ideja për të luajtur çdo javë përkrah bashkëkombësit të tij edhe në nivel klubesh. Ky “lobim” i brendshëm raportohet se e ka bërë lojtarin të mendojë seriozisht për një transferim të mundshëm në La Liga.
Megjithatë, një transferim te Real Madridi mbetet shumë i vështirë nga ana financiare. Pas paraqitjeve të shkëlqyera në Kupën e Botës, vlera e Olises në treg vlerësohet tashmë rreth 200 milionë euro, ndërsa ai ka ende edhe tre vite kontratë me Bayern Munichun.
Bayern nuk njihet si klub që shet lehtësisht yjet e tij dhe synon të ndërtojë një skuadër fituese të Ligës së Kampionëve rreth futbollistëve kryesorë. Megjithatë, një pikë mosmarrëveshjeje ka lindur për pagën aktuale të Olises, e cila është 8 milionë euro neto në sezon dhe tashmë konsiderohet e pamjaftueshme pas kontributit të tij të fundit.
Sipas “El Debate”, Bayerni ka përgatitur tashmë një ofertë për rinovimin e kontratës me një pagë prej 14 milionë eurosh neto në sezon, për të larguar interesimin e klubeve të tjera..
