Lionel Messi ka pranuar se gjysmëfinalja e Kupës së Botës ndaj Anglisë do të ketë një domethënie të veçantë për të, pasi do të jetë hera e parë në karrierën e tij që përballet me “Tre Luanët”. Argjentina siguroi një vend në mesin e katër skuadrave më të mira të turneut pasi eliminoi Zvicrën në çerekfinale, ndërsa Anglia kaloi Norvegjinë vetëm pas kohës shtesë.
Dy kombëtaret do të përballen të mërkurën mbrëma për një vend në finalen e madhe. Pavarësisht historisë së gjatë dhe rivalitetit mes Argjentinës dhe Anglisë në Kupën e Botës, Messi nuk ka luajtur kurrë më parë kundër anglezëve. “Çdo gjë që mbaj mend nga ndeshja e vitit 1986 vjen nga videot dhe pamjet që argjentinasit i kanë parë vazhdimisht.
Por ky grup është mësuar të luajë ndeshje të mëdha, pavarësisht kundërshtarit”, tha Messi për ESPNArgentina . Ai theksoi se përballja me Anglinë ka një peshë të veçantë. “Të luash kundër Anglisë është gjithmonë diçka e veçantë, sepse është një superfuqi e futbollit. Ndeshjet ndaj skuadrave të tilla kanë gjithmonë një atmosferë ndryshe. Për mua do të jetë hera e parë që luaj kundër tyre.
Kam luajtur pothuajse ndaj të gjithëve, përveç Anglisë, ndaj mezi e pres këtë sfidë”. Messi dha kontribut të rëndësishëm edhe në fitoren ndaj Zvicrës, duke asistuar në golin e Alexis Mac Allister pas një goditjeje nga këndi. Kapiteni argjentinas theksoi se skuadra e tij është plotësisht e fokusuar te sfida e radhës.
“Do ta përjetojmë këtë ndeshje ashtu siç është, një gjysmëfinale e Kupës së Botës kundër një superfuqie dhe një kombëtareje shumë cilësore. Do të përpiqemi të jemi në formën më të mirë të mundshme për të konkurruar sërish në nivelin më të lartë”. Messi vazhdon të shkruajë histori me fanellën e Argjentinës.
Ai numëron 205 paraqitje dhe 125 gola me kombëtaren, ndërsa në këtë Kupë Bote kryeson listën e golashënuesve së bashku me Kylian Mbappen. 39-vjeçari është gjithashtu golashënuesi më i mirë në historinë e Kampionateve Botërore me 21 gola, si dhe asistuesi më i mirë i të gjitha kohërave në këtë kompeticion me 11 asistime.
Përballja mes Argjentinës dhe Anglisë mbetet një nga rivalitetet më të mëdha në futbollin botëror, e ushqyer nga sfidat historike në Kupat e Botës, përfshirë ndeshjen legjendare të vitit 1986 dhe golin e famshëm me dorë të Diego Maradonës. Interesimi për këtë duel është i madh edhe në Angli, pasi dy kombëtaret do të përballen për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.
Që nga debutimi i Messit me Argjentinën në vitin 2005, kombëtarja argjentinase është ndeshur vetëm një herë me Anglinë, por superylli mungoi në atë miqësore për shkak të një pezullimi.
