Mësimdhënësit “tepricë”, barrë për komunat – kërkohet ndryshimi i

0%

Nga: Elda Islami Shpërndaje në: Komunat kërkojnë ndryshimin e formulës së financimit për mësimdhënësit. Disa nga drejtorët e DKA-ve dhe ekspertët e arsimit vlerësojnë se formula aktuale e financimit nuk i përgjigjet më realitetit në terren.

Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kanë thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me komunat për të gjitha çështjet Lënia jashtë Grantit të Arsimit për vitin 2026 e mbi 3 mijë mësimdhënësve nuk është pritur mirë nga komunat. Sipas formulës së financimit, numri i mësimdhënësve përcaktohet në bazë të numrit të nxënësve.

Drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, thotë se problemi qëndron te formula e vjetërsuar e financimit. Ai thotë se komuna do të detyrohet të përdorë fondet e projekteve kapitale, duke rrezikuar realizimin e tyre.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Komuna e Podujevës është bazuar në faktin se shumica e mësimdhënësve të prekur kanë kontrata pune me afat të pacaktuar, çka krijon obligim ligjor për institucionin që t’i mbajë ata në sistemin arsimor.

Për këtë arsye, gjatë këtij viti nuk do të shpallim konkurse të reja për mësimdhënës, me qëllimin e vetëm që gradualisht të reduktohet numri i mësimdhënësve jashtë Grantit përmes pensionimit dhe lëvizjeve të brendshme në sistem”, ka thënë Fetahu. Edhe nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës thonë se kjo formulë e financimit duhet të ndryshohet.

“Është e pamjaftueshme dhe e papërballueshme për nevojat reale të qytetarëve, të nxënësve, por në këtë rast edhe të Drejtorisë së Arsimit. Prandaj, sigurisht që kjo e ka domosdoshmërinë e vet që të ndryshohet dhe të përshtatet me realitetin e krijuar në gjithë vendin”, ka thënë Arianit Elshani, drejtor i Arsimit në Prishtinë.

E nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit thonë se institucionet duhet të angazhohen që të mos ketë shkurtime të vendeve të punës. “Besojmë se edhe institucionet lokale e qendrore do të angazhohen dhe do të ofrojnë zgjidhje të pranueshme, në mënyrë që të mos kemi shkurtime të vendeve të punës.

Nuk është humane e as e pranueshme që punëtorit, pas shumë viteve në arsim, t’i thuhet: ‘Nuk je më në punë’”, ka thënë kryetari i SBAHK-ut, Rahman Jashari. Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se kjo situatë është e papërballueshme për komunat.

Ai thekson se Qeveria duhet të mbështesë komunat për ta tejkaluar barrën financiare, duke paralajmëruar se pa ndryshim të formulës situata do të përsëritet edhe në vitet e ardhshme. “Nëse vazhdon zbatimi i këtyre formulave të vjetra, sigurisht që komunat janë të rrezikuara.

Mirëpo, unë mendoj se këtu duhet të ndërmerret një veprim i guximshëm, të ndryshohet formula e financimit dhe t’i përshtatet realitetit. Tani jemi diku në 12.6 nxënës për një mësimdhënës; mund të bëhet një normë prej 13 nxënësish dhe, gjatë një periudhe tranzitore, të ruhet numri i të punësuarve”, ka thënë Pupovci.

Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kanë thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me komunat për të gjitha çështjet që lidhen me këtë temë. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në komunikim të vazhdueshëm me komunat për të gjitha çështjet që lidhen me Grantin Specifik për Arsim.

Formula e financimit është e njëjtë për të gjitha komunat dhe zbatohet mbi bazën e kritereve objektive, të përcaktuara me legjislacion, duke u mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar në SMIA”, thuhet në përgjigjen e ministrisë. Raporti i Institutit GAP ka treguar se me këtë formulë komunave u krijohet barrë prej mbi 24 milionë eurosh.

Numri më i madh i mësimdhënësve që kanë mbetur jashtë grantit është në Gjilan me 310, pastaj Kamenicë me 299, Gjakovë me 290 dhe Podujevë me 250. Mbetje jashtë Grantit për Arsim nënkupton që Ministria e Arsimit nuk do të ndajë mjete për ata mësimdhënës që i konsideron të tepërt për sistemin.

Numri i tepër del pasi Ministria e Arsimit çdo vit përcakton numrin e mësimdhënësve bazuar në numrin e nxënësve.

Burimi: Koha