Eliminimi i Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026 ka shkaktuar reagime të ashpra në mediat gjermane, të cilat nuk kursyen kritikat ndaj përfaqësueses dhe trajnerit Julian Nagelsmann. Gjermania u eliminua nga Paraguai pas goditjeve të penalltive, pasi ndeshja përfundoi 1-1 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve.
Më pas, Paraguai triumfoi 4-3 nga pika e bardhë, duke i shkaktuar Gjermanisë humbjen e parë me penallti në historinë e saj në një Kupë Bote. Gazeta “Bild” e cilësoi eliminimin si një “turp kolosal”, duke shkruar se kombëtarja gjermane ishte “turpëruar deri në palcë”.
Në analizën e saj, ‘Bild’ vlerësoi se Gjermania ishte krejtësisht jashtë loje në pjesën e parë dhe ia atribuoi përgjegjësinë kryesore trajnerit Julian Nagelsmann, të cilit i dha notën më të ulët të mundshme.
Edhe revista “Kicker” ishte po aq e ashpër, duke e cilësuar eliminimin si “një aktakuzë ndaj futbollit gjerman dhe Nagelsmannit”, me argumentin se trajneri nuk arriti të krijojë një skuadër funksionale dhe të nxjerrë në pah cilësitë e lojtarëve.
Ndërkohë, “Suddeutsche Zeitung” e përmblodhi zhgënjimin me titullin “Një turp i ri”, ndërsa “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkroi se marrëdhënia mes Nagelsmannit dhe kombëtares “është e pariparueshme”, duke lënë të kuptohet se largimi i tij është vetëm çështje kohe. Pas eliminimit, në Gjermani kanë nisur menjëherë edhe spekulimet për pasardhësin e mundshëm të Nagelsmannit.
Emri që po përmendet më së shumti është ai i Jurgen Klopp, ish-trajnerit të Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit, i cili prej kohësh konsiderohet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e kombëtares gjermane.
