Zvicra do të përballet me Argjentinën në çerekfinalen e Kupës së Botës pa një nga futbollistët më të rëndësishëm të saj, Johan Manzambi. Mungesën e mesfushorit e ka konfirmuar selektori i kombëtares zvicerane, Murat Yakin, i cili ka bërë të ditur se 20-vjeçari nuk ka arritur të rikuperohet në kohë nga lëndimi.
“Fatkeqësisht, Johan nuk mund të luajë nesër”, deklaroi Yakin gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes. Manzambi kishte munguar edhe në sfidën e kaluar ndaj Kolumbisë, ku Zvicra siguroi kualifikimin në çerekfinale, pasi kishte pësuar një dëmtim në gju gjatë një seance stërvitore.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta rikthyer në kohë për duelin ndaj Argjentinës, lojtari nuk është shpallur i gatshëm për këtë përballje të rëndësishme. Mungesa e tij është një goditje e madhe për Zvicrën, pasi Manzambi ka qenë njëri prej lojtarëve më të dalluar të skuadrës në këtë Botëror. Ai ka realizuar tre gola dhe ka dhënë dy asistime në katër paraqitje.
Kombëtarja zvicerane tashmë do të kërkojë të bëjë befasinë përballë Argjentinës së Lionel Messit dhe të sigurojë për herë të parë në histori një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, por pa ndihmën e golashënuesit të saj më të mirë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
