​Çfarë është festimi “Viking Row” i tifozëve të Norvegjisë?

0%

Një nga pamjet më të veçanta të Kupës së Botës 2026 deri tani është festimi i tifozëve dhe lojtarëve të Norvegjisë, i njohur si “Viking Row”, një ritual që ka bërë xhiron e botës përmes mediave sociale.

Nga tifozët që tërheqin “rrema” imagjinarë njëzëri në shkallët lëvizëse, deri te qindra persona që e kanë realizuar këtë koreografi në mes të Times Square në New York, norvegjezët kanë mahnitur publikun me mënyrën e tyre unike për të shfaqur identitetin kombëtar.

Tifozët norvegjezë, para, gjatë ose pas ndeshjeve, ulen në tribuna dhe bëjnë sikur po vozisin në të njëjtin ritëm, ndërsa këndojnë “ro”, që në gjuhën norvegjeze do të thotë “vozisim”. Kjo koreografi lidhet me historinë e Norvegjisë dhe me trashëgiminë vikinge, pasi vikingët njihen për udhëtimet dhe pushtimet e tyre në Evropë dhe Amerikën e Veriut përmes anijeve me rrema.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe kombëtarja norvegjeze e përqafoi këtë identitet para Botërorit, duke realizuar një fotosesion me veshje tradicionale vikinge, duke theksuar lidhjen e ekipit me historinë e vendit. Festimi është parë në shumë qytete të SHBA-së dhe në Norvegji, ndërsa pas ndeshjeve shpesh udhëhiqet nga kapiteni i ekipit, ylli i Arsenalit, Martin Odegaard.

Pas fitores së madhe 2-1 ndaj Brazilit, ku Erling Haaland shënoi dy gola, ishte pikërisht sulmuesi norvegjez ai që mori rolin e udhëheqësit të festës, duke shijuar momentin historik pasi Norvegjia siguroi vetëm fitoren e dytë në fazën me eliminim direkt në historinë e saj në Kupën e Botës.

“Viking Row” ka sjellë kujtime edhe nga festa e famshme e Islandës, “Viking Thunder Clap”, e cila u bë e njohur gjatë Euro 2016 dhe Kupës së Botës 2018, me duartrokitjet e ngadalta që rriteshin gradualisht deri në një shpërthim të madh energjie. Pavarësisht se shumë mund të mendojnë se kjo festë ka qenë pjesë e traditës norvegjeze prej vitesh, realiteti është ndryshe.

Ideja ishte e Ole Froystad, i cili tashmë njihet si “Mr Row Row”. Ai krijoi një këngë dhe një thirrje të frymëzuar nga vozitja vikinge, ndërsa grupi zyrtar i tifozëve të Norvegjisë e shndërroi atë në ritualin që sot po tërheq vëmendjen e gjithë botës. Torstein Hamran, anëtar i bordit të grupit të tifozëve “Oljeberget Supporterklubb”, ka treguar për FIFA-n se si nisi gjithçka.

“Gjithçka filloi me idenë e Ole-s. Pastaj e zhvilluam së bashku. Madje regjistruam një këngë të quajtur ‘Viking Blood’, e cila u publikua në fund të marsit dhe në sfond përmban edhe ‘Viking Row’. Sot është një nga këngët më të mëdha në Norvegji”, ka thënë Hamran. Festimi nuk u bë menjëherë fenomen.

Ai mori hov gjatë një miqësoreje para turneut kundër Suedisë, kur grupi i tifozëve u shpjegoi të pranishmëve lëvizjet dhe përdori një bri për të sinjalizuar momentin kur duhej të fillonte “ro”. Më pas, pas fitores së Norvegjisë në raundin e 1/32-tave ndaj Bregut të Fildishtë, lojtarët kërkuan që ta përdornin vetë daullen e tifozëve.

Ajo daulle, e cila tani shihet në shumë video virale, i përket Torstein Hamran. “Lojtarët donin daullen time”, ka treguar Hamran duke qeshur. “Më është dashur të vrapoja nëpër disa sektorë të stadiumit për t’ua çuar. E bleva atë daulle të vogël të përdorur në vitin 2023 dhe tani është bërë e famshme në të gjithë botën.

Pas ndeshjes, të gjithë donin të fotografoheshin me të.” Ndërkohë, krijuesi i kësaj koreografie, Ole Froystad, ka treguar emocionet e tij për ndikimin që ka pasur një ide e krijuar vetëm pak muaj më parë. “Të dëgjoja njerëzit duke bërtitur ‘ro!’ në rrugët e New York-ut ishte e pabesueshme. Ishte një nga momentet më të mëdha të jetës sime.

Tjetri ishte kundër Senegalit, kur lojtarët u ulën dhe realizuan ‘Viking Row’ në mënyrë perfekte në sinkron me tifozët. Pothuajse qava. Ishte diçka e jashtëzakonshme”, ka thënë Froystad. Me atmosferën që ka krijuar dhe me përkrahjen e jashtëzakonshme nga tifozët, “Viking Row” tashmë është kthyer në një nga simbolet më të dallueshme të Norvegjisë në Botërorin 2026.

Burimi: Bota Sot