Rafael Leao iu është ofruar Tottenham Hotspurit, por klubi londinez nuk ka shfaqur interes konkret për transferimin e tij, ka bërë të ditur eksperti i merkatos Fabrizio Romano. Reprezentuesi portugez e bëri të qartë këtë verë se është i gatshëm të largohet nga Milani, pasi në disa intervista deklaroi se kishte dhënë gjithçka për “Rossonerët” dhe se ishte koha për një aventurë të re.
Leao theksoi se beson që Premierliga dhe La Liga i përshtaten më mirë stilit të tij të lojës. Megjithatë, gjetja e një klubi të gatshëm të paguajë edhe çmimin e reduktuar prej 60 milionë eurosh po rezulton shumë e vështirë. Ditët e fundit u raportua se Tottenham ishte i interesuar për sulmuesin anësor, por sipas Fabrizio Romanos, situata është krejt ndryshe.
Në kanalin e tij në YouTube, Romano shpjegoi se ishin përfaqësuesit e Leaos ata që ia propozuan lojtarin Tottenhamit, ndërsa klubi anglez nuk u entuziazmua nga ideja e transferimit.
Dëshira për ndarjen duket të jetë e dyanshme, pasi Leao ka kontratë me Milanin deri në qershor të vitit 2028, por klubi italian nuk ka ndërmend t’i ofrojë rinovim, duke synuar gjithashtu të lirohet nga paga e tij e lartë.
Kjo u la të kuptohej edhe nga trajneri i ri i Milanit, Ruben Amorim, i cili deklaroi se pozicioni ideal për Christian Pulisic është në krahun e majtë të sulmit me tre lojtarë. Ky është pikërisht pozicioni ku aktivizohet aktualisht Leao, çka e ka detyruar reprezentuesin amerikan të zhvendoset në krahun e djathtë.
Deri më tani, interesimi i vetëm konkret për Rafael Leaon ka ardhur nga Benfica dhe Galatasaray.
