Debati për qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) rreth postit të presidentit po bëhet gjithnjë e më kompleks, sidomos në dritën e deklaratave të nënkryetarit të saj, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se 18 votat e partisë në Kuvend mund të unifikohen vetëm nëse kandidati për president vjen nga radhët e LDK-së.
Ai ka përmendur si opsione të mundshme kryetarin Lumir Abdixhiku ose vetë veten, duke e kushtëzuar kështu mbështetjen e plotë të deputetëve me një zgjidhje të brendshme partiake. “Në rast se ky emër është Lumiri ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar.
Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë” , theksoi Haziri. Ky qëndrim merr një dimension tjetër kur lidhet me faktin se në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK kishte dalë me një formulë ndryshe politike, duke e paraqitur Vjosa Osmanin si kandidate për presidente dhe Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër.
Pikërisht emri i Osmanit, sipas Hazirit, nuk do të siguronte mbështetjen e unifikuar të të gjithë deputetëve të LDK-së, gjë që tregon se brenda partisë ekzistojnë ende ndarje të theksuara rreth profilit të presidentit. “Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim mund të unifikohemi ”, sqaroi Haziri.
Në këtë kontekst, kushtëzimi i ri për një president nga vetë LDK-ja ngre pyetjen nëse partia po largohet nga diskursi i mëhershëm për një president mbi-partiak dhe konsensual. Kjo e bën edhe më të ndjeshme çështjen e marrëveshjeve të mundshme me Vetëvendosjen, pasi pozicionet aktuale duken më shumë si kalkulime politike paszgjedhore sesa si vazhdimësi e një linje të qartë parimore.
Jakupi: Kalimi nga “president jopartiak” në “president nga LDK-ja” kërkon një shpjegim politik Në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli analisti Zejnulla Jakupi, i cili e vlerësoi kërkesën e LDK-së si një lëvizje politike, e cila nuk është në linjë me qëndrimet e mëparshme.
Zejnulla Jakupi Madje, ai rikujtoi deklaratat e zyrtarëve të LDK-së kur kërkonin president jopartiak, por tani kanë ndryshuar strategji. “Kërkesa e LDK-së për postin e presidentit mund të shihet si një lëvizje politike që synon të sigurojë një rol institucional në një marrëveshje të mundshme me Vetëvendosjen, por njëkohësisht hap pyetje për konsistencën e saj me qëndrimet e mëhershme.
Kur LDK-ja ka kërkuar një president jopartiak, argumenti kryesor ka qenë se figura e presidentit duhet të jetë mbi partitë politike, një figurë unifikuese përtej interesave partiake.
Nëse tani kërkohet që presidenti të jetë nga radhët e LDK-së — madje të përmenden emra si kryetari i partisë apo një figurë drejtuese e saj — atëherë kritikët mund ta interpretojnë këtë si një ndryshim të qasjes.” Sipas Jakupit, nuk ka problem që po kërkohet figurë politike për president, pasi një gjë e tillë është bërë edhe në të kaluarën, por çështja është te mesazhi politik dhe mungesa e qëndrimeve të qarta politike.
“Megjithatë, LDK-ja mund ta argumentojë këtë ndryshim me faktin se në politikën parlamentare marrëveshjet bëhen mbi bazën e balancës së pushtetit dhe besimit politik. Pra, një parti që jep vota për formimin e institucioneve mund të kërkojë një përgjegjësi të lartë institucionale si pjesë e marrëveshjes.
Nga ky këndvështrim, kërkesa nuk është domosdoshmërisht kontradiktore juridikisht apo politikisht, sepse edhe një figurë partiake, pasi zgjidhet president, mund të deklarojë se do ta ushtrojë funksionin në interes të të gjithë qytetarëve. Por dilema kryesore është mesazhi politik.
Nëse para disa muajsh LDK-ja e ka kundërshtuar idenë e një presidenti partiak dhe ka kërkuar një figurë konsensuale, atëherë kalimi nga “president jopartiak” në “president nga LDK-ja” kërkon një shpjegim politik. Përndryshe, kundërshtarët mund ta shohin si një kushtëzim për pushtet më shumë sesa si parim institucional.
Në anën tjetër, përmendja e emrave si Lumir Abdixhiku apo Lutfi Haziri tregon se LDK-ja nuk po kërkon thjesht një post formal, por një pozitë që do të kishte peshë në arkitekturën e ardhshme politike. Kjo e bën çështjen edhe më shumë një negociatë për ndikim politik sesa vetëm një debat mbi profilin e presidentit”, nënvizoi ai.
Më tej, analisti ngriti dy çështje sa i përket kërkesës së LDK-së për presidentin dhe strategjisë së saj politike. Ai rithekson faktin se zgjedhja e presidentit në Kosovë kërkon një shumicë të cilën një parti e vetme zakonisht nuk mund ta sigurojë dhe për këtë duhet bashkëpunim dhe marrëveshje politike.
“Pra, pyetja kryesore nuk është vetëm ‘a po ndryshon LDK-ja qëndrim?’, por edhe ‘a ishte kërkesa për president jopartiak një parim i qëndrueshëm apo një pozicion i varur nga rrethanat politike?’. Nëse kushtet politike kanë ndryshuar, partitë shpesh ndryshojnë edhe strategjinë — por kjo mund të sjellë kosto në besueshmëri nëse nuk shpjegohet qartë.
Nëse kjo kërkesë e LDK-së shihet në funksion të krijimit të institucioneve dhe tejkalimit të një bllokade eventuale politike, atëherë ajo merr një tjetër dimension. Zgjedhja e presidentit në Kosovë kërkon një shumicë të cilën një parti e vetme zakonisht nuk mund ta sigurojë, prandaj marrëveshjet ndërpartiake janë pothuajse të pashmangshme.
Në këtë kuptim, përfshirja e LDK-së dhe sigurimi i votave të saj mund të shihet si një element stabilizues që do të mundësonte kompletimin e institucioneve.” Ndër të tjera, Jakupi foli edhe për mundësinë që LVV ta pranojë ofertën e LDK-së dhe cilat janë gjasat që të ketë kompromis ose koalicion mes këtyre partive.
“ Për Lëvizjen Vetëvendosje, edhe pse mund të mos jetë zgjedhja e parë një president nga radhët e një partie tjetër, kjo nuk do të ishte domosdoshmërisht një kërkesë e papranueshme, sepse pa një marrëveshje më të gjerë parlamentare zgjedhja e presidentit do të ishte e vështirë.
Një kompromis me LDK-në do t’i jepte mundësi LVV-së të siguronte funksionalizimin e institucioneve dhe shmangien e një krize të re politike. Në këtë perspektivë, çështja nuk është vetëm kush e merr postin e presidentit, por çmimi politik i një marrëveshjeje që krijon shumicë funksionale.
LDK-ja do të siguronte një rol të rëndësishëm institucional, ndërsa LVV do të fitonte stabilitet qeverisës. Megjithatë, mbetet debati për koherencën e LDK-së me qëndrimet e saj të mëhershme për një president jopartiak: një marrëveshje e tillë mund të arsyetohet si kompromis për zhbllokim institucional, por kërkon një shpjegim të qartë publik që të mos perceptohet vetëm si kërkim për poste” , përfundoi Zejnulla Jakupi për “Bota sot”.
Kapiti: Haziri dhe Abdixhiku, së bashku me Vjosa Osmanin janë autorët kryesorë të dështimit politik të LDK-së Kurse, opinionisti Skënder Kapiti u shpreh shumë kritik pas deklaratës së Hazirit për postin e presidentit.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencoi se deklaratat e fundit po vërtetojnë se Abdixhiku dhe Haziri kanë interes vetëm për poste personale, jo për interesin e partisë. Për këtë, ai tha se asnjë nga ata që janë në krye të LDK-së nuk meritojnë të jenë aty.
Skënder Kapiti “Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se deputetët e partisë së tij mund të dalin të unifikuar vetëm nëse kandidati për president vjen nga radhët e LDK-së dhe jo nga jashtë saj, si dhe: ‘Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi.’ Ky deklarim është vërtetimi më i qartë i asaj se LDK-ja është një patericë politike, pronë e individëve, pronarë dhe uzurpatorë të saj, që, pavarësisht se si Haziri ashtu edhe Abdixhiku, të cilët së bashku me Vjosa Osmanin janë autorët kryesorë të dështimit politik të LDK-së, duan deri në fund ta shfrytëzojnë LDK-në për interesa dhe ambicie personale.
Ata gjithmonë LDK-në e kanë përdorur si material njerëzor, sa për vota e për përfitime personale. Në LDK-në e sotme, asnjë nga ata në krye të saj nuk meriton jo vetëm të jetë deputet, por duhet të largohet edhe nga postet partiake në LDK.” Gjithashtu, Kapiti vazhdoi me kritikat e tij ndaj udhëheqjes së LDK-së dhe tradhtisë që, sipas tij, disa prej anëtarëve i kanë bërë partisë.
“LDK-ja është një patericë politike, e cila qëndron në këmbë vetëm si inerci politike, pasi nuk ka asgjë as si trashëgimi rugoviste dhe as nuk paraqet alternativë opozitare. Ajo ka treguar pasinqeritet dhe tradhti politike ndaj anëtarësisë së saj, por edhe servilizëm të tejskajshëm me partnerët qeverisës në koalicion.
Këta të dy, Haziri dhe Abdixhiku, e tradhtuan edhe Vjosa Osmanin, të cilën e emëruan kandidate për Presidente dhe e vunë në krye të listës së deputetëve në zgjedhjet parlamentare, dhe as kjo akrobaci politike nuk u shërbeu atyre. Prej këtyre të dyve dhe prej akrobates politike Vjosa Osmani, ky ishte maksimumi dështak politik i LDK-së ”, deklaroi ai.
Në fund, opinionisti nënvizoi se nëse ka një koalicion mes LVV dhe LDK-së, kjo e fundit do të duhej të propozonte një emër jopartiak, pasi, sipas tij, nuk ka brenda saj një emër që do të ishte i pranueshëm për president/e.
“Nëse do të realizohet ndonjë marrëveshje koalicioni LVV–LDK, për LDK-në do të ishte politikisht e moralshme që ajo të propozonte për President të Kosovës një personalitet jashtë politikës.
Një personalitet jashtë politikës që plotëson kriterin e një presidenti të unitetit kombëtar, pasi LDK-ja nga radhët e saj nuk ka asnjë individ të pëlqyeshëm e as të pranueshëm për president, vërtetim që vjen nga ajo që çfarë zhgënjimi, pabesie, tradhtie dhe egoizmi tregoi ish-presidentja Osman i”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.
