Nga: Johanna Neuman / New York Post (titulli: The left has tried its best to tarnish our national story. But America’s 250th is the perfect opportunity to dig into our real history ) Përkthimi: Telegrafi.com Teksa vendosnin nënshkrimet e tyre në Deklaratën e Pavarësisë, 250 vjet më parë, etërit themelues e dinin se po rrezikonin gjithçka.
Kundërshtimi i mbretit përbënte tradhti të lartë, të dënueshme me vdekje. Në një letër drejtuar John Adamsit në vitin 1811, Dr.
Benjamin Rush, mjeku më i shquar i Filadelfias, kujtonte “heshtjen e rëndë dhe solemne që mbizotëronte në sallë, kur u thirrëm njëri pas tjetrit për të nënshkruar atë që, në atë kohë, shumë prej nesh e besonin se ishte urdhri i vdekjes sonë.” Thirrjet e fuqishme të Deklaratës – se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se të drejtat tona nuk burojnë nga njeriu apo qeveria, por nga Krijuesi ynë, dhe se qeveritë nuk mund të ekzistojnë pa pëlqimin e të qeverisurve – vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot. – Lexo po ashtu: Jeffersoni ndryshoi rrjedhën e historisë Megjithatë, më shumë se një shekull sulmesh nga kritikët e majtë kanë njollosur figurën e themeluesve dhe vetë aktin e themelimit të shtetit.
Në vitin 1913, historiani Charles Austin Beard nisi këtë valë kritikash me librin An Economic Interpretation of the Constitution of the United States [ Një Interpretim Ekonomik i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ], duke argumentuar se etërit themelues nuk udhëhiqeshin nga dëshira për liri, por nga lakmia ekonomike. Brezat pasues i shtuan akuzat për racizëm dhe mizogjini.
Historianë të ndryshëm arritën në përfundimin se revolucioni amerikan nuk ishte një revolucion i mirëfilltë – si ai i përgjakshmi në Francë – por, thjesht një korrigjim kursi. Por, çdo lexim i rrënjëve ideologjike të Revolucionit Amerikan tregon se koncepti i vetëqeverisjes diskutohej gjerësisht në të gjitha shtresat e shoqërisë.
Libri i Edward Gibbonit, History of the Decline and Fall of the Roman Empire [ Historia e rënies dhe shkatërrimit të Perandorisë Romake ], ishte një bestseller në Amerikë, duke përhapur idetë iluministe mbi virtytin qytetar. Historia e Romës së lashtë u bë udhërrëfyes për të ardhmen në ngjitje të Amerikës.
Nëse vepra e Gibbonit ndikoi drejtpërdrejt te etërit themelues, atëherë Common Sense [ Arsyeja e shëndoshë ] i Tom Paineit ndezi flakën e revolucionit te publiku i gjerë. George Washingtoni – i emëruar komandant i Ushtrisë Kontinentale edhe përpara Deklaratës së Pavarësisë – kërkoi që libri t’u lexohej trupave të tij. Kongresi, teksa shqyrtonte çështjen e pavarësisë, e përpiu atë.
Edhe kritikët, që u tkurrën nga gjuha e ethshme të Paineit, e pranuan ndikimin e tij. Në një kohë kur shumë banorë të Amerikës Britanike ishin ende besnikë të Kurorës, ndërsa të tjerët kërkonin vetëm të drejtat qytetare që mund t’u siguronte një vend në Parlament, Painei e hodhi poshtë konceptin e së drejtës hyjnore të mbretërve.
“Çështja e Amerikës është, në një masë të madhe, çështja e mbarë njerëzimit,” shkroi ai. “Ka ardhur koha të ndahemi.” Dhe, në fund, thirrja parafundore: “Ne kemi në dorë ta fillojmë botën nga e para … Ditëlindja e një bote të re është pranë.” Përballë kësaj historie krenare, e majta ka promovuar një narrativë kundërshtuese mashtruese.
Udhëhequr nga Nikole Hannah-Jones, një autore e shtyrë nga një agjendë e caktuar, dhe i promovuar nga The New York Times në klasat mësimore në mbarë vendin, 1619 Project [ Projekti 1619 ] pretendon se etërit themelues erdhën në Amerikë jo për lirinë fetare, por për të përjetësuar skllavërinë. Puritanët do të kishin mendim krejt tjetër.
Kjo është ajo që u është mësuar fëmijëve tanë – dhe pikërisht këtë presidenti Trump duket i vendosur ta korrigjojë përmes kremtimit të tij madhështor dhe plot krenari të 250-vjetorit të vendit tonë.
Nën syrin e një ndërtuesi, Uashingtoni po i nënshtrohet një pastrimi të plotë – ujërat e mbuluara me alga të Pellgun e Baticës [Tidal Basin] së shpejti do të shkëlqejnë me të kaltrën e flamurit amerikan. Ndërkohë, heronjtë që u rrëzuan nga revizionistët po ngrihen sërish në këmbë.
Në Sheshin e Lirisë [Freedom Square], pranë kryqëzimit të Rrugës së 14-të me Avenynë e Pensilvanisë, Caesar Rodney po rikthehet.
I sëmurë rëndë me kancer të lëkurës dhe duke vuajtur vazhdimisht nga dhimbjet, Rodney përshkoi 80 milje mes një stuhie për të hedhur votën e Delauerit në favor të Pavarësisë, duke siguruar që secila prej 13 kolonive të kishte të paktën një delegat që votonte pro saj. Statuja e tij mbi kalë, e rrëzuar gjatë trazirave të vitit 2020, është ngritur sërish.
Ndërsa Trumpi promovon patriotizmin, demokratët radikalë protestojnë kundër eksperimentit amerikan ku, siç u shpreh së fundmi sekretari i Shtetit Marco Rubio, “nuk je i kufizuar nga rrethanat e lindjes, nga ngjyra e lëkurës apo nga përkatësia etnike.” Në Nju-Jork, kryetari i bashkisë, Zohran Mamdani, ka ndaluar grumbullimet me më shumë se 20 persona gjatë festimeve, të cilat do të shënohen me zbritjen tradicionale të topit në Sheshin Skuer [Times Square] në çastin kur 3 korriku i lë vendin 4 korrikut.
Ndërkohë, në Filadelfia, qyteti ku lindën si Deklarata e Pavarësisë ashtu edhe Kushtetuta, muzeu me emrin e qytetit ka hapur një ekspozitë të re që lexohet si një apologji për historinë amerikane. Tema e saj është se skllevërit e ndërtuan vendin, ndërsa kolonët e bardhë e kolonizuan atë. Për më tepër, fraza “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” nuk vlente për të gjithë.
Por, në atë kohë, fjalët e Jeffersonit patën jehonë. Skllevërit, indianët dhe gratë – të gjithë e dëgjuan atë thirrje. John Adamsi shqetësohej se etërit themelues po hapnin Kutinë e Pandorës. “Nuk do të ketë fund të kësaj,” shkroi ai.
“Do të lindin kërkesa të reja; gratë do të kërkojnë të drejtën e votës; të rinjtë nga dymbëdhjetë deri në njëzet e një vjeç do të mendojnë se të drejtave të tyre nuk u është kushtuar vëmendja e duhur; dhe, çdo njeri që nuk ka asnjë qindarkë do të kërkojë të ketë një zë të barabartë me cilindo tjetër.” Në versionin e tij fillestar të Deklaratës, Jeffersoni përfshiu edhe një ankesë që do t’i befasonte kritikët e tij të shekullit XXI.
Aty thuhej se mbreti George “ka zhvilluar një luftë mizore kundër vetë natyrës njerëzore, duke shkelur të drejtat e saj më të shenjta për jetën dhe lirinë ndaj një populli të largët” përmes skllavërisë.
Lufta kundër ushtrisë më të fuqishme në botë – me një ushtri të çrregullt, ushtarët e së cilës shpesh marshonin zbathur – nuk mund të fitohej nëse Karolina e Jugut, Karolina e Veriut, Xhorxhia dhe Virxhinia do të largoheshin nga bashkimi. Ato do të ngriheshin ose do të binin së bashku.
