Juristi Blerim Burjani ka bërë thirrje për një marrëveshje politike mes partive vetëm për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen më racionale për tejkalimin e bllokadave institucionale.
Sipas tij, një kandidat konsensual do të shmangte zgjedhjet e jashtëzakonshme, do të siguronte stabilitet institucional dhe do t’i lejonte Kuvendit të përqendrohej te reformat dhe interesat e qytetarëve.
Burjani thekson se kompromisi është shenjë e pjekurisë politike, ndërsa shtron pyetjen nëse partitë do ta vendosin interesin shtetëror mbi atë partiak, apo do ta mbajnë vendin në krizë të vazhdueshm Shkrimi i plotë: Marrëveshje vetëm për Presidentin – A do të mbushen mend partitë politike? A u bëmë përrallë?
Krizat politike të përsëritura kanë krijuar përshtypjen se Kosova po hyn në një cikël të pafund bllokadash institucionale. Çdo proces i rëndësishëm shtetëror shndërrohet në një betejë politike, ndërsa interesi i qytetarëve mbetet në plan të dytë. Në këtë situatë shtrohet pyetja: A do të mbushen mend partitë politike, apo vendi do të vazhdojë të ecë nga një krizë në tjetrën?
Një nga zgjidhjet më racionale do të ishte një marrëveshje politike vetëm për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Edhe pa hyrë në një koalicion qeverisës, partitë politike mund të arrijnë konsensus për një kandidat që gëzon besimin e shumicës së deputetëve.
Një marrëveshje e tillë nuk do të ndryshonte raportet politike mes partive, por do të garantonte funksionimin normal të institucioneve kushtetuese. Një kandidat konsensual për president do të shmangte rrezikun e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat jo vetëm që kanë kosto të lartë financiare, por edhe e zgjasin pasigurinë politike dhe ngadalësojnë zhvillimin ekonomik.
Në të njëjtën kohë, qeveria do të vazhdonte funksionimin sipas shumicës ekzistuese parlamentare, ndërsa Kuvendi do të kishte mundësi të përqendrohej në ligjet dhe reformat që presin qytetarët. Në demokracitë parlamentare, kompromisi nuk është shenjë dobësie, por shprehje e pjekurisë politike. Presidenti duhet të jetë simbol i unitetit të shtetit dhe jo trofe i betejave partiake.
Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e tij kërkon dialog, mirëkuptim dhe përgjegjësi. Kosova ka nevojë për stabilitet institucional më shumë se për fushata të vazhdueshme zgjedhore. Qytetarët presin zgjidhje konkrete për ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe integrimin evropian, jo përplasje të pafundme politike.
Prandaj, pyetja mbetet e hapur: A do të mbushen mend partitë politike dhe ta vendosin interesin shtetëror mbi interesin partiak, apo do të vazhdojnë ta mbajnë vendin peng të krizave të njëpasnjëshme?
