Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Këngëtarja e njohur Madonna e ka kritikuar ashpër përdorimin e inteligjencës artificiale në industrinë muzikore, duke e quajtur atë “të kundërtën e krijimit të artit”.
Në një intervistë për Vogue Italia , ajo ka thënë se tash artistët janë nën presion të madh për numrin e ndjekësve dhe praninë në rrjete sociale, në vend që të fokusohen te krijimtaria e tyre. “Dikur ishe mes piktorëve, muzikantëve dhe artistëve që punonin nga një vend shumë i pastër për njëri-tjetrin. E vlerësoj shumë atë përvojë”, ka thënë Madonna.
“E në ditët e sotme, për të marrë një kontratë muzikore, mendohet vetëm për numrin e ndjekësve. Algoritmet dhe inteligjenca artificiale janë e kundërta e rrezikimit, dhe për mua kjo është e kundërta e artit”, ka thënë ylli. Ajo ka shtuar se shpesh largohet nga rrjetet sociale gjatë punës për muzikë, në mënyrë që të ruajë kreativitetin dhe të gjejë frymëzim në jetën reale, larg ekranit.
“Duhet të kesh qetësi, ditë kur lidhem me natyrën, me fëmijët e mi dhe me kuajt e mi”, ka thënë ajo. Madonna gjithashtu ka kritikuar më herët Instagramin, duke e quajtur “shkatërrues për shpirtin dhe hipnotizues”, duke pranuar se përdorimi i tepërt i tij e bën të ndihet e trishtuar. “Kur qëndroj më shumë se 10 minuta në Instagram, ndiej depresion dhe nuk dua të jem aty”, ka thënë ajo.
Këngëtarja ka theksuar se koha është e çmuar dhe se nuk dëshiron t’i japë fuqinë e jetës së saj një “entiteti të padukshëm” si rrjetet sociale. “Bëj lista çdo natë, vendos letra me porosi kudo dhe përpiqem ta mbush ditën me gjëra të rëndësishme. Koha është e çmuar”, ka shtuar Madonna.
