Liderët e partive politike në Kosovë kanë uruar 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur mirënjohje të thellë për aleatin kryesor të Kosovës dhe një nga simbolet globale të lirisë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar rolin historik të SHBA-së në mbështetjen e të drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve, duke e lidhur këtë me vlerat themelore të Deklaratës së Pavarësisë së 4 korrikut 1776.
Kurti ka thënë se Deklarata e Pavarësisë e 4 korrikut 1776 ka rëndësi jo vetëm si ngjarje historike, por edhe për vlerat universale që përfaqëson, si barazia, liria dhe të drejtat e patjetërsueshme të njeriut. Ai ka përmendur gjithashtu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës, duke veçuar deklaratën e ish-presidentit George W. Bush në Tiranë më .
Sipas Kurtit, brenda afro një shekulli shqiptarët kanë marrë dy herë mbështetje vendimtare nga Shtetet e Bashkuara në proceset e tyre shtetformuese, fillimisht për ruajtjen e shtetit shqiptar dhe më pas për pavarësinë e Kosovës. Ndrsa kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se miqësia me SHBA-së është pjesë e identitetit të Kosovës.
“Miqësia me SHBA-në është pjesë e identitetit tonë shtetëror dhe dëshmi se vlerat e lirisë, demokracisë dhe partneritetit krijojnë lidhje të forta e bashkëpunim të qëndrueshëm. Gëzuar 4 Korrikun stafit diplomatik, popullit amerikan dhe institucioneve të SHBA-së!”, ka shkruar Hamza.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se për më shumë se dy shekuj, SHBA-ja ka qenë një prej shtyllave kryesore të mbrojtjes së vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe stabilitetit ndërkombëtar. “Për Republikën e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë më tepër se një aleat strategjik.
Ato janë miku ynë i palëkundur, partneri ynë më i rëndësishëm dhe mbështetësi vendimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit të demokracisë. Kontributi amerikan për Kosovën është historik, i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ky është një borxh mirënjohjeje që brezat tanë do ta kujtojnë gjithmonë”.
Ai ka theksuar se vizioni për një Kosovë të pavarur, sovrane, të integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian, me miqësi të përhershme me SHBA-në, mbetet një prej shtyllave themelore të orientimit politik të LDK-së. Edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ua ka uruar 4 korrikun të gjithë miqve amerikanë.
“Në këtë përvjetor jubilar të 250-të të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nderojmë vlerat e lirisë dhe demokracisë që frymëzuan botën”. Ndërsa ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova do të jetë gjithmonë përkrah Amerikës, e cila është shembull që me krenari e ndjek. Prandaj, 4 korriku është edhe festë e Kosovës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
