Konica, Noli, Ali Asllani dhe Migjeni përballë një pushteti që e

0%

Po të ngrihej sot Konica nga varri, nuk do të kishte nevojë të shpikte personazhe. Do t’i mjaftonte të hapte dritaren e studios së tij dhe të sodiste teatrin e përditshëm të pushtetit.

Ai do ta mprehte penën jo për të shpifur e as për t’u hakërryer, por për të bërë atë që dinte të bënte më mirë: të demontonte me ironi e mendjemprehtësi fasadën e ngritur mbi fjalë të mëdha, duke zhveshur nga petku i retorikës një realitet të rremë që përpiqet me ngulm të paraqitet si sukses.

E, nëse do të ishte Noli mes nesh, nuk do të këndonte himne për fronin e pushtetit, ngase ai e dinte fare mirë se çdo pushtet që kërkon adhurim ka nisur tashmë të largohet nga misioni i tij themelor: nga shërbimi ndaj qytetarit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai do ta ngrinte zërin e ndërgjegjes dhe do të shtronte pyetjen që çdo shoqëri e lirë duhet t’ia bëjë pareshtur vetes: në çastin kur pushteti fillon t’i frikësohet fjalës së lirë, mendimit ndryshe dhe protestës paqësore të qytetarëve, vallë, a mbetet ky pushtet ende “shërbëtor” i popullit, apo është shndërruar në rojtar paranojak i vetvetes dhe i privilegjeve të tij…!?

Një pushtet i sinqertë dhe i mirëqeverisjes nuk e humb legjitimitetin kur kritikohet, sepse në fakt, kritika është prova më e shëndetshme e një demokracie që merr frymë. Ai e humb legjitimitetin në çastin kur pushon së pranuari kritikën si të drejtë qytetare dhe fillon ta trajtojë mendimin ndryshe si armiqësi, protestën si kërcënim dhe qytetarin si kundërshtar.

Në atë pikë, pushteti nuk mbron më interesin publik, por instinktin e vetëmbrojtjes dhe të mbijetesës me çdo mjet, duke harruar se burimi i vetëm i autoritetit të tij është besimi i lirë i qytetarëve, dhe jo frika e tyre. Po të fliste Ali Asllani, nuk do të ndryshonte as metodën dhe as tonin e tij të njohur alegorik, sarkastik e thumbues.

Ai nuk do të kursente askënd që e ngatërron pushtetin me pronën dhe kolltukun me trashëgiminë. Do të kujtonte se kolltukët janë të përkohshëm, ndërsa përgjegjësia është e përhershme; se pushteti nuk rrënohet nga kundërshtarët, por nga çasti kur humbet turpin, masën dhe moralin publik. Atëherë arroganca bëhet ligj i pashkruar, ndërsa shteti nis të shembet nën peshën e vet.

Satira e tij nuk do të ishte thirrje për hakmarrje, por akt ndërgjegjeje. Ajo do t’u kujtonte qeverisësve se shteti nuk është plaçkë e fitimtarit, as pronë e pushtetarit, por amanet i qytetarëve; i sovranit – popull. Dhe amaneti nuk mbahet me duartrokitje, as me frikë, por vetëm me ndershmëri, drejtësi e llogaridhënie.

Kur këto mungojnë, edhe kolltuku më i fortë fillon të lëkundet, sepse asnjë pushtet nuk është më i fortë se gjykimi i kohës dhe kujtesa e një populli. Dhe po të kalonte Migjeni nëpër rrugët e Tiranës e në viset e tjera të Shqipërisë, ai nuk do të ndalej te fasadat e reja, as te ndërtesat që prekin qiellin.

Ai do të kërkonte fytyrën e vërtetë të njeriut të zakonshëm: pensionistin që numëron monedhat me dorën e dridhur, të sëmurin që pret në radhat e gjata nëpër dyert e spitaleve që të marrë shërbimin e duhur mjekësor, të riun që mban valixhen gati për ikje pakthim, familjen që jeton mes shpresës së thyer dhe ankthit të së nesërmes.

Ai do të pyeste, pa retorikë të zbukuruar, por me dhimbjen e njohur të vargut të tij: a mund ta barazosh njësoj përparimin me betonin që ngrihet me njeriun që mbetet pas? A quhet zhvillim një qytet ku lartohen kullat, ndërsa ulet dhe nëpërkëmbet me poshtërim dinjiteti i atyre që e mbajnë gjallë? Një qytet nuk bëhet modern kur ngrihen muret e xhamta, por kur ngrihet njeriu brenda tij.

Dhe aty ku njeriu mbetet i vogël përballë madhështisë së fasadave, moderniteti nuk është më përparim, por vetëm një iluzion i ndërtuar mbi heshtjen e të pambrojturve, atyre që nuk kanë as zë. Problemi i një pushteti të gjatë që rrezikon të bjerë në zgrip nuk është vetëm koha që kalon, por bindja e verbër se ai është i pazëvendësueshëm. Pikërisht aty lind iluzioni i paprekshmërisë.

Historia, kjo gjykatëse e pamëshirshme, ka dhënë gjithmonë të njëjtin vendim: askush nuk ka qenë më i madh se koha e tij. Në Shqipërinë e sotme, shumë nga këto pyetje drejtohen prej kohësh ndaj qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama.

Kundërshtarët politikë dhe protestues të shumtë e kanë akuzuar qeverinë e tij për keqqeverisje dhe politika të ashpra represive, abuzime me pushtetin dhe korrupsion me përmasa të paimagjinueshme, ndërsa sjelljet dhe reagimet e Kryeministrit ndaj protestave janë perceptuar nga kritikët si arrogante, bullizuese dhe refraktare ndaj çdo zëri kundërshtues.

Mirëpo, kur propaganda kërkon të zëvendësojë argumentin, kur duartrokitjet organizohen më mirë se dëgjimi i kritikës dhe kur protesta shihet si armike e jo si një e drejtë demokratike, atëherë kambanat e alarmit bien jo për opozitën, por për vetë pushtetin, sepse demokracia nuk dobësohet nga qytetari që proteston, por nga qeverisja dhe pushteti që s’ka vesh të dëgjoj dhe as sy të shoh.

Nuk është detyrë e letërsisë dhe artit të japin verdikte gjyqësore; por është detyrë e tyre të mos heshtin përballë arrogancës dhe mungesës së dhembshurisë që i forti i gjithëpushtetshëm ushtron ndaj më të dobëtëve dhe të pambrojturve, si dhe përballë kultit të individit, narcizizmit politik dhe harresës së njeriut. Këtë na e kanë mësuar Konica, Noli, Ali Asllani dhe Migjeni.

Ata nuk shkruan për të zbukuruar oborret e pushtetit, por për të mbajtur zgjuar vigjilencën e qytetarisë dhe ndërgjegjen e shoqërisë përballë padrejtësisë.

Prandaj pyetja nuk është nëse qeveria e Kryeministrit Edi Rama është e fortë, por nëse ajo është ende në gjendje të dëgjojë qytetarin pa e parë si kundërshtar, sidomos kur protestues nga mosha e shtresa të ndryshme të shoqërisë dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës së qeverisjes.

Një pushtet që humbet aftësinë për të dëgjuar ka filluar tashmë të humbasë edhe të drejtën morale për të udhëhequr. Në fund, mbetet vetëm historia. Ajo nuk mban shënim fjalimet e askujt, por gjykon veprat. Dhe historia nuk është njohur kurrë për mëshirën që u ka treguar atyre që e ngatërruan shtetin me vetveten. Tiranë, e premte – 3 korrik, 2026

Burimi: Bota Sot