KOMF: Niveli i higjienës në repartet e pediatrisë është më i ulët

0%

Koalicioni i Organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) përmes një komunikate ka thënë se e drejta e fëmijës për kujdes shëndetësor është e garantuar me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës. Sipas KONF, për garantimin e kësaj të drejte është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë.

KOMF ka njoftuar se sipas hulumtimit të realizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, organizatë anëtare e KOMF, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit për matjen e kënaqshmërisë dhe përvojave të pacientëve, janë evidentuar mangësi të shumta, veçanërisht në shërbimet shëndetësore për fëmijët.

“Pacientët e Repartit të Pediatrisë u renditen ndër repartet me nivelin më të ulët të kënaqshmërisë krahasuar me pacientët e reparteve të tjera. Në këtë kanë ndikuar faktorë të ndryshëm, si qasja ndaj pacientëve, cilësia e shërbimeve mjekësore, infermierore dhe diagnostike, kushtet infrastrukturore dhe higjiena, furnizimi me barna, cilësia e ushqimit, etj”- thuhet në njoftim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërsa theksohet se “të dhënat po ashtu tregojnë se niveli i higjienës në repartet e pediatrisë është më i ulët krahasuar me repartet e tjera, duke ngritur shqetësime serioze për cilësinë dhe sigurinë e kujdesit që u ofrohet fëmijëve”.

Sipas KOMF, përvojat e pacientëve duhet të shërbejnë si një burim i rëndësishëm për identifikimin e mangësive dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, ndërsa përjashtimi i tyre nga procesi i vlerësimit është i paparanueshëm dhe rrezikon që problemet reale të mbeten të padukshme dhe të paadresuara.

“Është e domosdoshme që institucionet shëndetësore të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e kushteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe garantimin e shërbimeve cilësore me në qendër fëmijën” – thuhet tutje në komunikatë. KOMF ka shtuar se zëri i prindërve duhet të jetë pjesë e pandashme e çdo vendimmarrjeje për shëndetësinë.

Aktivistja Aulonë Memeti më ka publikuar disa fotografi që paraqisnin kushtet brenda Klinikës së Pediatrisë në QKUK, ku ka thënë se po qëndron bashkë me djalin e saj, i cili po merr trajtim mjekësor. Ajo përmes fotove ka treguar për gjendjen brenda dhomës ku janë vendosur. “Shtrati ku duhej të shtrihej fëmija ynë kishte njolla të shumta.

Disa prej tyre dukeshin si gjak apo mbetje të vjetra biologjike. Nuk e di çfarë ishin. Më mirë të mos e dimë. Kërkuam çarçaf. Nuk kishte”- ka shkruar ajo ndër te tjera. Ndërsa, KALLXO.com ka publikuar pamje të gjendjes në këtë Klinikë. Lidhur me gjendjen në Klinikën e Pediatrisë ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) më përmes një reagimi ka thënë se ka pranuar me seriozitet shqetësimet e ngritura publikisht lidhur me përvojën e një familjeje gjatë trajtimit të fëmijës në Klinikën e Pediatrisë.

Sipas njoftimit, për këtë arsye, drejtori i QKUK-së ka marrë vendim për formimin e një komisioni ad-hoc, i cili po zhvillon një hetim të plotë administrativ për të verifikuar të gjitha rrethanat e rastit.

“Hetimi do të përfshijë shqyrtimin e pretendimeve lidhur me trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim eventual, nga ato menaxheriale deri te ato teknike” – thuhet në reagim.

Ndërsa thuhet se sa u përket parregullsive të konstatuara menjëherë gjatë verifikimeve të kryera nga QKUK, përfshirë ato që pasqyrohen edhe në fotografitë e publikuara, janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin hierarkik menaxherial, si dhe është suspenduar përkohësisht punëtori i shërbimeve teknike.

Burimi: Kallxo