Shpërndaje në: Avokati Arianit Koci, ka thënë se që nga 20 maji ndodhet në paraburgim në Serbi nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale, shqiptari Avdi Memçaj, i cili në Kroaci punon prej vitesh dhe është pronari disa furrave të bukës.
Koci përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se për këtë është njoftuar nga familjarët e Memçajt të cilët kanë kërkuar që avokati Koci ta marrë përsipër për të mbrojtur të drejtat e tij.
“Rastin nuk e kanë bërë publik deri më sot, sepse kanë pasë frikë se kjo mund të kishte pasoja si për Avdi Memçajn, ashtu edhe për familjen e tij, pasi shpesh kalojnë përmes Serbisë për të ardhur në Kosovë. Do ta shqyrtoj me seriozitet këtë rast dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet juridike që i lejon ligji për mbrojtjen e të drejtave të tij.
Pres edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës që këtij rasti t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të Avdi Memçajt”, ka shkruar Koci në Facebook.
Avokati Koci gjithashtu ka thënë se kohës së fundit po merr gjithnjë e më shumë informata për ndalimin e shtetasve të Republikës së Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi dhe se në disa raste po iu kontrollohet edhe përmbajtja e telefonave mobil. Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që nëse përballen me situata të ngjashme, t’i njoftojnë institucionet e Kosovës.
