Nga: BBC Shpërndaje në: Vetëm pak ditë kanë kaluar nga fillimi i korrikut, por Mbretëria e Bashkuar dhe pjesa më e madhe e Evropës kanë përjetuar tashmë dy valë të fuqishme të të nxehtit, të cilat kanë thyer rekorde dhe po konsiderohen si një pasqyrë e klimës së re të kontinentit. Pas temperaturave të larta të muajit maj, edhe qershori solli rekorde të reja.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike të OKB-së, temperaturat jo vetëm që u thyen, por u tejkaluan ndjeshëm në një ngjarje të cilësuar si “e jashtëzakonshme”. Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë se një tjetër valë e të nxehtit është në horizont.
Shkencëtarët theksojnë se këto fenomene nuk janë më të pazakonta, por përputhen me parashikimet për një planet që po ngrohet si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile dhe emetimi i gazrave serrë.
Profesori Stephen Belcher, shkencëtar kryesor në Shërbimin Meteorologjik të Mbretërisë së Bashkuar (Met Office), tha se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive.
Në qershor, temperaturat më të larta u regjistruan në jug të Anglisë dhe Uellsit jugor, ndërsa stacioni meteorologjik në Lingwood, Norfolk, shënoi 37.7 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm të qershorit prej 35.6°C, të vendosur në vitin 1957 dhe të barazuar në vitin 1976.
Edhe stacionet me të dhëna shumëvjeçare regjistruan rekorde të reja, në disa raste me mbi 2 gradë Celsius më shumë se maksimumet e mëparshme. Sipas profesorit Ed Hawkins nga Universiteti i Readingut, zakonisht rekordet thyhen me disa të dhjeta ose maksimumi një gradë, ndaj rritje kaq të mëdha konsiderohen të jashtëzakonshme.
Përveç temperaturave ekstreme, vala e të nxehtit u shoqërua edhe me lagështi të lartë, duke e bërë vapën më të rëndë dhe duke vështirësuar ftohjen natyrale të trupit përmes djersitjes. Temperaturat mbetën të larta edhe gjatë natës, duke penguar pushimin e organizmit.
Në Cardiff, gjatë natës mes 24 dhe 25 qershorit, temperatura nuk zbriti nën 23.5°C, nata më e ngrohtë e regjistruar ndonjëherë në muajin qershor në Mbretërinë e Bashkuar.
Shumica e Anglisë dhe Uellsit përjetuan të paktën një “natë tropikale”, kur temperatura nuk bie nën 20°C – një fenomen që dikur ishte shumë i rrallë, por që sipas shkencëtarëve pritet të bëhet gjithnjë e më i zakonshëm me rritjen e temperaturave globale.
