Një drejtues automjeti është ndaluar për 48 orë pasi refuzoi t’u ndalej zyrtarëve policorë, tentoi t’i godiste ata me veturë dhe më pas u përfshi në një aksident trafiku në Gjakovë. Rasti u konfirmua për KALLXO.com nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas Policisë, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, gjatë kontrolleve rutinë në fshatin Krushë të Rahovecit, kur drejtuesi i automjetit nuk iu bind urdhrit për ndalim.
Policia bën të ditur se zyrtarët u vunë në ndjekje të tij dhe, me mbështetjen e njësive të tjera, tentuan ta ndalonin në rrugën magjistrale Prizren–Gjakovë, por i dyshuari sërish refuzoi të ndalej dhe tentoi t’i godiste zyrtarët policorë.
Më tej, gjatë ndjekjes nga një patrullë tjetër në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, i dyshuari goditi automjetin zyrtar të Policisë, duke shkaktuar një aksident trafiku ku u përfshi edhe një automjet civil. Pas aksidentit, ai tentoi të largohej në këmbë, por u ndalua nga policia dhe u shoqërua në stacionin policor.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tij janë iniciuar rastet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa është ndaluar për 48 orë.
