Në një intervistë për “Bota sot”, për situatën politike dhe protestat në Shqipëri ka folur analisti Klementin Mine. I pyetur për protesta, ai vlerëson se ato kanë prodhuar efekt politik duke nxitur një kulturë të re qytetare, ku njerëzit reagojnë dhe kërkojnë ndryshim, në vend që të heshtin ose të largohen nga vendi.
Sipas tij, çdo protestë paqësore është legjitime dhe suksesi i saj matet me aftësinë për të sjellë zgjidhje. Ai shton se mesazhi kryesor i protestuesve është se qytetarët nuk duan të jenë më spektatorë të politikës, por pjesëmarrës aktivë në vendimmarrje.
Derisa, për opozitën thotë se ende nuk ka bindur qytetarët se është një alternativë e plotë qeverisëse, duke shtuar se ajo duhet të kalojë nga reagimi ndaj qeverisë te ndërtimi i besimit dhe shpresës për të ardhmen. Kurse, për raportet Kosovë-Shqipëri, Mine thekson se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë një partneritet strategjik të qëndrueshëm.
Ndërsa për raportet me Serbinë, ai shprehet se çdo vendim duhet të gjykohet mbi bazën e ndikimit që ka në interesin kombëtar shqiptar dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Klementin Mine Intervista e plotë: “Bota sot”: Protestat po vazhdojnë prej kohësh. A mendoni se kanë arritur të prodhojnë efekt politik apo qeveria po i injoron? Cili është qëndrimi juaj karsh këtyre protestave?
Klementin Mine: Efekti politik kryesor i protestave është në ndryshimin e kulturës politike në Shqipëri. Pra, nga qytetari që kur përballej me probleme të thella të qeverisjes zgjidhte të ikte nga vendi (emigranti) dhe nga qytetari që rrinte në Shqipëri por bënte kompromise në heshtje (militanti dhe klienti) te qytetari që ngre zërin dhe reagon për të ndryshuar jo vetëm fatin vetjak, por edhe hapësirën publike të jetës dhe veprimit.
Pra, nuk është e rëndësishme vetëm çështja a do ta rrëzojë apo jo protesta qeverinë. Përtej kësaj, efekti i protestave duhet matur me faktin a arrin ajo të ndryshojë sjelljen strategjike të qeverisë dhe partive tradicionale që kanë dominuar sistemin politik.
Kështu, vetë fakti që qeveria e ka ndryshuar komunikimin, ka aktivizuar deputetët, ka rritur kostot e menaxhimit dhe është detyruar të reagojë, tregon se protesta ka prodhuar efekt politik. Çështja vendimtare tani është a do të arrijë protesta ta shndërrojë energjinë qytetare në organizim të qëndrueshëm?
Qëndrimi im është se çdo protestë paqësore është legjitime në demokraci dhe duhet gjykuar nga aftësia për të prodhuar zgjidhje, jo vetëm për të shprehur zemërim. “Bota sot”: Cili është mesazhi kryesor që synojnë t’i përcjellin qytetarëve përmes këtyre protestave? Klementin Mine: Mesazhi më i fortë i qytetarëve nuk është ndonjë kërkesë konkrete.
Por është ideja se qytetarët shqiptarë nuk pranojnë të jenë më vetëm spektatorë të vendimmarrjes politike. Në këtë kuptim, protesta po sfidon mënyrën si ushtrohet pushteti, jo thjesht një politikë të caktuar. “Bota sot”: A besoni se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur nën qeverisjen aktuale?
Klementin Mine: Shqipëria ka bërë përparim në disa fusha, por problemi kryesor është përqendrimi i tepërt i pushtetit. Shteti nuk matet vetëm me projektet që ndërton, por edhe me aftësinë për të pranuar kontrollin, kritikën dhe korrigjimin. Kur këto dobësohen, edhe arritjet rrezikojnë ta humbin legjitimitetin. “Bota sot”: Si e vlerësoni opozitën aktuale?
Klementin Mine: Opozita (dhe këtu përfshij jo vetëm Partinë Demokratike por edhe partitë e reja) nuk ka arritur ende t’i bindë shqiptarët se përfaqëson alternativë qeverisëse të plotë. Në shumë raste ajo ka reaguar ndaj qeverisë, më shumë sesa ka imponuar axhendën e saj.
Megjithatë, demokracia funksionale ka nevojë për një opozitë që jo vetëm kundërshton, por prodhon besim dhe shpresë për të ardhmen. Nëse qeveria mbështetet te “koalicioni i frikës”, opozita duhet të ndërtojë koalicionin e shpresës. “Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve në Shqipëri?
Klementin Mine: Sfida nuk është mungesa e institucioneve, por ekuilibri ndërmjet tyre. Demokracia dobësohet kur kontrolli mbi pushtetin nuk ecën me të njëjtin ritëm si vetë pushteti. Kjo është arsyeja pse llogaridhënia mbetet njëra nga çështjet më të rëndësishme të momentit. “Bota sot”: Cili është qëndrimi juaj për marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës? A janë në nivelin që duhet?
Klementin Mine: Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë partneritet strategjik që të mos varet nga marrëdhëniet personale të liderëve apo nga ciklet politike. Bashkëpunimi institucional, ekonomik dhe diplomatik duhet të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë. “Bota sot”: Shpesh është thënë se Edi Rama ka bërë lëshime në raport me Serbinë. A ndani të njëjtin mendim? Pse?
Klementin Mine: Debati duhet të fokusohet te vendimet konkrete dhe pasojat e tyre, jo vetëm te perceptimet. Çdo politikë ndaj Serbisë duhet të vlerësohet me një kriter të vetëm: a e forcon apo e dobëson interesin kombëtar shqiptar dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. “Bota sot”: Si e shihni dialogun Kosovë–Serbi dhe rolin që duhet të luajë Shqipëria në këtë proces?
Klementin Mine: Dialogu mbetet i domosdoshëm për stabilitetin rajonal, por nuk mund të jetë proces formal pa garanci zbatimi. Shqipëria duhet të jetë mbështetëse e Kosovës, koordinuese me partnerët strategjikë dhe e kujdesshme që çdo angazhim diplomatik ta përforcojë, jo ta zëvendësojë, subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
