Disa simptoma shëndetësore janë më të lehta për t’u përmendur se të tjerat. Dhimbja e barkut, lodhja, ndryshimet në jashtëqitje apo humbja e peshës zakonisht diskutohen më me pak siklet. Por ka edhe simptoma që njerëzit i shmangin nga sikleti, edhe pse mund të jenë të rëndësishme për t’u kontrolluar. Një prej tyre është mosmbajtja e jashtëqitjes, ose rrjedhja e pavullnetshme e saj.
Sipas mjekëve të cituar nga HuffPost, kjo nuk është një shenjë shumë e zakonshme e kancerit kolorektal, por mund të ndodhë, sidomos kur sëmundja prek rektumin. Në disa raste, mund të lidhet me një fazë më të avancuar të sëmundjes, prandaj nuk duhet injoruar.
Mjekët shpjegojnë se kanceri rektal mund të ndikojë te aftësia e rektumit për të ndier dhe mbajtur jashtëqitjen, mund të dëmtojë sinjalet nervore që ndihmojnë kontrollin e muskujve analë, ose mund të shkaktojë diarre dhe sekrecione që bëhen më të vështira për t’u kontrolluar. Megjithatë, kjo simptomë nuk do të thotë automatikisht kancer.
Shumë më shpesh, mosmbajtja e jashtëqitjes lidhet me arsye të tjera, si mosha, problemet me muskujt e zonës pelvike, diarrea kronike, lindjet, hemorroidet, prolapsi rektal, sëmundjet inflamatore të zorrëve apo probleme neurologjike. Por pikërisht sepse mund të ketë shumë shkaqe, është e rëndësishme të mos trajtohet si diçka “e turpshme” që duhet fshehur.
Simptoma të tjera që mund të lidhen me kancerin kolorektal përfshijnë gjakderdhje nga rektumi, gjak në jashtëqitje, ndryshime të vazhdueshme në zakonet e zorrëve, kapsllëk, diarre, dhimbje barku, lodhje të pazakontë, rënie të pashpjegueshme në peshë, anemi nga mungesa e hekurit, ndjesinë sikur zorra nuk është zbrazur plotësisht, ose jashtëqitje më të hollë se zakonisht.
Mjekët theksojnë se kanceri kolorektal mund të jetë i pranishëm për një kohë të gjatë pa simptoma të dukshme. Kjo është arsyeja pse kontrollet janë kaq të rëndësishme, sidomos për personat me histori familjare ose faktorë të tjerë rreziku.
Për parandalim, ekspertët rekomandojnë shmangien e duhanit, kufizimin e alkoolit, reduktimin e ushqimeve shumë të përpunuara dhe mishit të kuq në sasi të tepërt, rritjen e fibrave në dietë dhe aktivitetin fizik të rregullt. Mesazhi kryesor është: nëse vëren ndryshime në tretje, jashtëqitje apo zakonet e zorrëve që zgjasin më shumë se disa javë, fol me një mjek.
Edhe nëse nuk është diçka serioze, është gjithmonë më mirë të kontrollohet herët.