Ish-mesfushori i Manchester Unitedit dhe Chelseat, Juan Mata, ka zgjeruar angazhimin e tij në futbollin australian, duke u bërë një nga aksionarët e klubit të njohur Melbourne Victory. Spanjolli, i cili iu bashkua klubit sezonin e kaluar, pati një edicion mbresëlënës në A-League, duke shënuar pesë gola dhe duke dhënë 13 asistime.
Me paraqitjet e tij, 38-vjeçari ndihmoi Melbourne Victory të sigurojë pjesëmarrjen në fazën finale të kampionatit për herë të 15-të në histori, duke u shndërruar shpejt në një nga futbollistët më të pëlqyer nga tifozët. Përveç karrierës në fushë, Mata vazhdon të investojë edhe jashtë saj.
Ai tashmë është pjesë e pronësisë së klubit amerikan San Diego FC dhe ekipit të Formula 1, BWT Alpine, ndërsa tani portofolit të tij i shtohet edhe Melbourne Victory. Duke folur për vendimin e tij, Mata u shpreh se beson fuqishëm në potencialin e futbollit australian. “Futbolli australian ka një të ardhme në të cilën unë besoj sinqerisht.
Që nga momenti kur mbërrita te Melbourne Victory, ndjeva pasionin e këtij klubi dhe potencialin që kanë A-Leagues. Dua të jem pjesë e ndërtimit të së ardhmes, jo vetëm për një sezon, por për një periudhë afatgjatë ”, tha ai. Mata shtoi se vendimi për t’u bërë aksionar ishte një hap i natyrshëm pas eksperiencës pozitive që pati në sezonin e kaluar.
“E kam shijuar jashtëzakonisht shumë këtë sezon në fushë dhe angazhimi im si aksionar është vazhdimësi e natyrshme. Falënderoj klubin dhe gjithë komunitetin e futbollit australian për mënyrën se si më kanë pritur ”, theksoi spanjolli.
Me këtë investim, Mata i bashkohet një grupi investitorësh të njohur në futbollin australian, mes tyre edhe pronarit të Brighton & Hove Albion dhe Hearts, Tony Bloom. Të dy ndajnë bindjen se futbolli australian ka potencial të madh për t’u zhvilluar dhe për të fituar një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
