Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Ylli televiziv, Kylie Jenner, po përballet me një padi të tretë nga një ish-punonjëse, e cila pretendon se kushtet e punës i shkaktuan humbjen e shtatzënisë, ka shkruar USA Today.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, ish-kuzhinierja private, e cila punoi për Jenneron nga muaji nëntor i vitit 2024 deri në muajin mars të vitit 2025, e akuzon yllin e televizionit dhe ekipin e saj për diskriminim, ngacmim, pushim të padrejtë nga puna, hakmarrje dhe shkelje të ligjit të punës.
Në padi thuhet se, megjithëse kishte njoftuar se kishte një shtatzëni me rrezik të lartë dhe kishte nevojë për kushte të veçanta pune, asaj iu caktuan orë të gjata pune, detyra të rënda fizike dhe punë me presion të madh. “Për klienten tonë, kjo çështje ka të bëjë me gjetjen e drejtësisë pas një prej periudhave më të dhimbshme të jetës së saj.
Ajo pret që e vërteta të dalë në dritë përmes procesit gjyqësor”, ka thënë avokatja e saj, Della Shaker, për USA Today Sipas padisë, në muajin dhjetor të vitit 2024, ish-kuzhinierja u urdhërua të transportonte pa ndihmë ushqime të rënda, gjë që i shkaktoi një urgjencë mjekësore. Ajo pretendon se pati marramendje, vështirësi në frymëmarrje dhe iu desh ndihma e personelit të sigurisë.
Më vonë, sipas saj, një menaxhere e qortoi, duke i thënë se kishte shqetësuar Jennerin me sjelljen e saj. Gjatë festës së ditëlindjes së fëmijës së Jennerit më , ajo pretendon se iu ngarkua një sasi e tepërt pune dhe se kërkesat për ndihmë iu refuzuan.
Të nesërmen, sipas padisë, ajo pësoi gjakderdhje të rëndë dhe shkoi në urgjencë, ku mjekët e njoftuan se nuk kishte më rrahje zemre të fetusit dhe se kishte humbur foshnjën. Pas rikthimit në punë, ajo thotë se i informoi punëdhënësit për abortin spontan, por më pas u fajësua padrejtësisht për gjendjen e shtëpisë së Jennerit pas festës.
Më vonë u shtrua sërish në spital për shkak të një tjetër gjakderdhjeje. Ish-kuzhinierja pretendon gjithashtu se, pasi kërkoi të transferohej në New York për të qenë më pranë familjes, punëdhënësit e interpretuan këtë si dorëheqje, megjithëse ajo kishte shprehur dëshirën të vazhdonte punën.
Në muajin mars të vitit 2025, asaj iu komunikua se ishte larguar nga detyra dhe se 31 marsi do të ishte dita e saj e fundit e punës. Në padi pretendohet gjithashtu se gjatë gjithë periudhës së punës nuk iu garantuan pushimet ligjore, pagesat për orët shtesë, rimbursimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe pagesa e plotë e pagës.
Ajo kërkon dëmshpërblim financiar, pagesën e pagave të papaguara, kompensim për humbjen e të ardhurave dhe përfitimeve, si dhe mbulimin e shpenzimeve ligjore. Kjo është padia e tretë ndaj Jennerit nga ish-punonjëset. Dy ish-mirëmbajtëse të saj kanë ngritur më herët padi të veçanta, duke e akuzuar për diskriminim, ngacmim, hakmarrje dhe largim të padrejtë nga puna.
Deri më tash, Jenner nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave. Pretendimet e paraqitura në padi nuk janë vërtetuar në gjykatë.
