Tensionet politike dhe sociale po e trondisin sërish skenën e madhe të futbollit. Ministri i Sportit i Iranit, Ahmad Donyamali, i ka lëshuar një paralajmërim të mprehtë dhe të drejtpërdrejtë Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) përpara ndeshjes së ardhshme midis Iranit dhe Egjiptit.
Siç raporton kanali sportiv Pitch Wire , delegacioni iranian është gati të ndërmarrë një hap radikal, duke u larguar plotësisht nga fusha dhe duke ndërprerë ndeshjen nëse në stadium shfaqen simbole LGBTQ+ ose ndonjë mesazh politik që nuk është në përputhje me parimet e tyre.
Në një deklaratë zyrtare që ngriti shumë pluhur në publikun sportiv, Donyamali tha se Irani nuk do të tolerojë asnjë aktivitet që devijon nga kornizat thjesht sportive.
“Ne e kemi informuar qartë FIFA-n se nëse delegacioni ose lojtarët tanë i nënshtrohen ndonjë fyerjeje politike ose slogani të paautorizuar brenda stadiumit, ne nuk do të hezitojmë t’i urdhërojmë menjëherë ekipit të largohet nga fusha dhe të ndërpresë ndeshjen”, tha ministri iranian i sportit. 🚨🇮🇷 Iran threaten to leave the pitch against Egypt over potential LGBTQ+ symbols 🗣️ Iran’s Minister of Sport, Ahmad Donyamali: “We have clearly informed FIFA that if our delegation or players are subjected to any political insults or unauthorized slogans inside the stadium, we… pic.twitter.com/RjBR91pe9p — Pitch Wire (@wire_pitch) June 26, 2026 Ai shtoi se ekipi erdhi për të garuar në turneun global ekskluzivisht sipas rregullave sportive të FIFA-s dhe se futja e çdo axhende të jashtme është plotësisht e papranueshme.
“Është e papranueshme të sjellim në këtë ndeshje axhenda politike ose sociale që nuk janë në përputhje me parimet dhe vlerat tona”. Prandaj, autoritetet iraniane ia kaluan përgjegjësinë e plotë organizatorëve të turneut, duke kërkuar kontrolle të rrepta brenda stadiumit për të shmangur çdo incident apo provokim nga tribunat.
U theksua se siguria dhe dinjiteti i anëtarëve të ekipit kombëtar janë një përparësi absolute dhe se FIFA duhet të marrë përgjegjësinë për rregullsinë e vetë ndeshjes.
“Siguria dhe dinjiteti i lojtarëve tanë janë në plan të parë dhe ne presim që FIFA dhe organizatorët të marrin përgjegjësinë e plotë për të siguruar që ndeshja të luhet në një atmosferë thjesht sportive, pa provokime”, përfundoi Donyamali.
Ky veprim i Iranit e vendos përsëri shtëpinë e lartë të futbollit në një pozicion të palakmueshëm, ku duhet të balancojë midis rregullave të tyre mbi përfshirjen dhe kërkesave të rrepta të vendeve pjesëmarrëse konservatore, dhe ndeshja e ardhshme kundër Egjiptit tani do të jetë nën llupën e veçantë të publikut botëror./ Telegrafi
