Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se mungesa e Kosovës në Samitin e fundit të NATO-s në Ankara nuk lidhet me ndonjë “përjashtim” të veçantë, por me faktin se vendi nuk është anëtar i Aleancës Veriatlantike dhe se këtë vit Ballkani Perëndimor nuk ishte në fokusin e diskutimeve.
Në emisionin “Intervista e Javës” me Erduan Zeqirin në KosovaPress, Maqedonci tha se në samit marrin pjesë 32 shtetet anëtare të NATO-s, ndërsa vendet partnere ftohen vetëm kur temat e samitit lidhen me to.
Sipas tij, Kosova nuk ka qenë e ftuar asnjëherë të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, duke theksuar se ftesat për përfaqësuesit e vendit kanë qenë vetëm për aktivitete të organizuara në margjinat e këtyre ngjarjeve të mëdha me karakter global.
Ai shtoi se vitin e kaluar, në një aktivitet të tillë në kuadër të Konferencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ishte ftuar ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa këtë vit ftesa ishte drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, mirëpo për shkak të agjendës nuk kishte mundur të ishte e pranishme në samit.
“Po dihet që Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe janë 32 vende të NATO-s të cilat janë të obliguara dhe të ftuara që të jenë pjesë e Samitit të NATO-s, si dhe në raste të veçanta ftohen vende partnere për të cilat lidhet fokusi i vetë samitit…
Në këtë samit nuk ka qenë fokusi kryesor i diskutimeve Ballkani Perëndimor, kanë qenë tema të tjera dhe kjo është edhe arsyeja pse asnjë vend tjetër jo anëtar i NATO-s nga Ballkani Perëndimor nuk është ftuar të jetë pjesë e atij samiti. Pra, asnjëherë, po e theksoj edhe një herë, Kosova nuk është ftuar të jetë pjesë e Samitit të NATO-s.
Në margjinat e këtij samiti, e thashë, vitin e kaluar është ftuar ish-presidentja Osmani, sivjet është ftuar ushtruesja e detyrës së presidentes… Po, ne kemi diskutime të vazhdueshme me zonjën Haxhiu për pjesëmarrjen tonë në aktivitete të ndryshme që ndërlidhen me NATO-n, me ushtrinë, me mbrojtjen. Në këtë rast besoj që ka qenë agjenda e saj që e ka pamundësuar.
Po kjo është një aktivitet i veçantë që organizohet nga një organizatë që është Këshilli i Atlantikut, ku ftesa ka qenë për një takim, mund të themi një drekë të përbashkët, një round table.
Dhe unë vlerësoj që, duke mos qenë pjesë e diskutimeve të samitit, duke qenë vetëm në margjinat e tij, është vlerësuar që të mos jetë pjesë e ndoshta atij round table, atij aktiviteti që është realizuar”, deklaroi ai.
Duke folur për samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në Tiranë, Maqedonci u shpreh optimist se Kosova do të ketë mundësi të jetë e pranishme në ndonjë aktivitet gjatë zhvillimit të tij.
Ministri theksoi se institucionet e Kosovës po vazhdojnë angazhimin diplomatik për afrimin me Aleancën, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme po komunikon vazhdimisht me shtetet mosnjohëse për të eliminuar pengesat në procesin e anëtarësimit. “Patjetër që është shumë i rëndësishme fakti që samiti i ardhshëm është planifikuar të mbahet në Tiranë për shumë arsye. Disa i theksuat.
Normalisht që raportet tona janë të jashtëzakonshme dhe të veçanta me Republikën e Shqipërisë, si në aspektin e mbrojtjes, por edhe në të gjitha fushat…
Besoj që Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, më saktësisht institucionet në Republikën e Shqipërisë, sepse ky Samit i NATO-s bëhet në nivel të krerëve të shtetit, do të angazhohen që Kosovën ta kemi prezente në ndonjë aktivitet në Tiranë gjatë samitit.
Mirëpo edhe ne jemi duke vazhduar të bëjmë punë të jashtëzakonshme për ta përafruar Kosovën me NATO-n, veçanërisht në mbrojtje dhe siguri… Unë besoj që fakti që po mbahet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor një Samit i NATO-s, veçanërisht fakti që po mbahet në Shqipëri, neve na jep mundësi, na jep hapësirë për të shtyrë përpara përafrimin e Kosovës me NATO-n.
Mirëpo normalisht kjo, e thashë edhe një herë, nuk varet vetëm nga përpjekjet tona, edhe pse këto përpjekje nuk duhet të ndalen dhe nuk janë duke u ndalur. Ministria e Punëve të Jashtme në vazhdimësi kontakton dhe gjen forma për të komunikuar me vendet mosnjohëse në mënyrë që të mos mbesin pengesë e anëtarësimit tonë në NATO.
Gjithashtu unë, si ministër i Mbrojtjes, në vazhdimësi kam tentuar që të gjejmë mënyra për të komunikuar me këto vende”, theksoi ai. Në intervistë, Maqedonci foli edhe për pjesëmarrjen e tij dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimin ndërkombëtar “Combat Poëer 2026”, të organizuar nga Ushtria e Kroacisë në poligonin ushtarak në Slunj.
Ai bëri të ditur se FSK-ja mori pjesë për herë të parë në këtë stërvitje, përkrah forcave të Kroacisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sllovenisë dhe partnerëve të tjerë, duke zhvilluar operacione dhe qitje me municion të vërtetë. Sipas Maqedoncit, performanca e pjesëtarëve të FSK-së është vlerësuar lart nga autoritetet kroate dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai shtoi se, me ftesë të ministrit kroat të Mbrojtjes, Ivan Anušić, mori pjesë edhe në Ditën e Vizitorëve të Shquar (DV Day), ku u demonstruan aftësitë operacionale të forcave pjesëmarrëse. “Po, për herë të parë jemi ftuar në një ushtrim të përvitshëm që organizohet nga Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë dhe ku ftohen vende aleate dhe partnere, kryesisht vendet e NATO-s.
Ushtrimi është quajtur ‘Combat Poëer 2026’ dhe është realizuar në Slunj të Kroacisë, një poligon jashtëzakonisht i mirë dhe jashtëzakonisht i madh në Kroaci, ku zhvillohen ushtrimet ndërkombëtare.
Pra, Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë ka marrë pjesë gjatë muajit qershor në një ushtrim që organizohet nga Ushtria Kroate, ku kemi qenë pjesë aktive e këtij ushtrimi, duke zhvilluar operacione. Pra, jemi ndër ato forca që kanë qenë operacionale në terren, kanë zhvilluar luftime, kanë zhvilluar qitje me armë dhe municione të vërteta.
Dhe unë e pata rastin dhe nderin që të jem i ftuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Anušić, për të marrë pjesë në DV Day, pra Ditën e Vizitorëve të Shquar, ku kemi përcjellë nga afër integrimin e zjarrit”, tha ai. Sa i përket raportimeve për largimin e ushtarëve nga FSK-ja, Maqedonci tha se situata nuk është shqetësuese.
Ai theksoi se numri i largimeve mbetet brenda normales dhe kompensohet nga interesimi në rritje për t’iu bashkuar forcës. “Sa i përket daljeve të ushtarëve, unë vlerësoj që çështja e daljeve nuk ka ndryshuar. Ne nuk e shohim shqetësuese çështjen e numrit të oficerëve që lënë FSK-në, për shkak se kemi edhe një prurje të vazhdueshme të oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve në FSK.
Pra, nuk është jashtë normales dalja. Gjatë fushatës së fundit që kemi pasur për ushtarë në Forcën e Sigurisë së Kosovës kemi pasur gjashtë aplikantë për një pozitë.
Pra, gjashtë të rinj kanë aplikuar për një pozitë të ushtarit brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës, që është një arritje në krahasim me atë që ka qenë para dy ose tre vitesh, kur kemi pasur tre deri në katër aplikantë për një pozitë.
Pra, besoj që ka bërë efekt të madh ndryshimi që i kemi bërë fushatës informuese, por edhe ofrimit të mundësive që ofron FSK-ja për të rinjtë dhe të rejat”, shtoi Maqedonci.
Lidhur me mungesën e gjeneralëve në disa pozita drejtuese, për çfarë u raportua ditëve të fundit, ministri në detyrë i Mbrojtjes shpjegoi se procesi i emërimeve është vonuar për shkak të procedurave institucionale që kërkojnë funksionalizimin e plotë të institucioneve shtetërore.
Ai bëri të ditur se bordi për përzgjedhjen e kandidatëve tashmë ka përfunduar raportin e tij dhe se procedura do të vazhdojë me rekomandimin e komandantit të FSK-së, për t’u dërguar më pas në qeveri dhe presidencë për miratim.
“Sa i përket çështjes së lidershipit të lartë, ne kemi pasur disa pozita vakante të gjeneralëve dhe arsyeja pse nuk janë plotësuar ka qenë për shkak se nuk kemi pasur institucione, sepse dihet që për të vendosur në pozita gjeneralësh, që është grada më e lartë, duhet të kemi funksionale qeverinë me mandat të plotë, por gjithashtu duhet të kemi edhe president që ka mundësi të…
Tani edhe në këto momente kur po flasim jemi në përfundim të procesit, sepse bëhet një bord, pra një bord që është funksional aktualisht, i cili bën selektimin, pra përzgjedhjen e kandidatëve për gjeneral. Pastaj komandanti ka të drejtë, në bazë të rregullores, të përcaktohet për secilën pozitë nga një emër për gradë.
Pastaj unë do ta përcjell atë dokument te kryeministri dhe prej tij shkon te presidentja për miratim. Ne po vazhdojmë këtë procedurë. Aktualisht, kur po flasim, është përfunduar raporti nga bordi. Me komandantin jemi duke punuar që të kemi edhe raportin nga ana e tij dhe pastaj atë raport unë do ta përcjell te kryeministri dhe te presidentja”, përfundoi ai. /KP
