Qeveria gjermane shpreson të forcojë ndjeshëm bashkëpunimin e saj mbrojtës me Kanadanë përpara samitit të NATO-s të kësaj jave duke finalizuar një marrëveshje për nëndetëse me vlerë disa miliardë euro. Kanadaja po kërkon të blejë deri në 12 nëndetëse, me prodhuesin gjerman të anijeve TKMS që konkurron me Hanwha Ocean të Koresë së Jugut për porosinë, transmeton DPA, përcjell KosovaPress.
E përditshmja kanadeze The Globe and Mail raportoi të hënën, duke cituar burime, se qeveria kanadeze ishte gati t’ia jepte kontratën Gjermanisë. Nuk kishte konfirmim zyrtar. Kryeministri kanadez Mark Carney kishte njoftuar se do të fliste në Halifax më vonë gjatë ditës rreth politikës mbrojtëse të vendit të tij, përpara se të nisej për në samitin në kryeqytetin turk.
“Nëse ia dalim, kjo do ta lidhë Kanadanë me ne për dekada, ” thanë burime qeveritare gjermane të hënën, një ditë para se të fillonte takimi dy-ditor në Ankara. “Kjo do të ishte një pikënisje shumë e mirë për bashkëpunim strategjik, ” thanë ata, duke shtuar se do të ishte “një sinjal shumë pozitiv” nëse vendimi do të shpallej “në kontekstin” e samitit të NATO-s.
As Kanadaja dhe as TKMS nuk kanë dhënë detaje mbi vlerën e saktë të kontratës. Sipas raportimeve të medias kanadeze, vlera totale – duke përfshirë mirëmbajtjen dhe operimin gjatë dekadave të ardhshme – mund të arrijë në rreth 100 miliardë euro (114 miliardë dollarë).
