Këshilli i Bashkimit Evropian emëroi diplomatin gjerman, Dirk Schubel, si përfaqësues të ri të posaçëm të BE-së për Kosovën. Ai do ta marrë detyrën më , me mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar estonezin Aivo Orav. Schubel është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në EEAS. Më herët, ai ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor (2022-2024), ndërsa ka qenë edhe shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi (2019-2022) dhe në Moldavi (2009-2013).
Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, mandati i Schubelit do të përqendrohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.
Ai do të monitorojë përparimin në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, do të kontribuojë në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve, si dhe do të promovojë koordinimin politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Mandati i tij përfshin, gjithashtu, ofrimin e udhëzimeve politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
