Mario Gila ka folur për herë të parë që nga transferimi i tij te Milani, duke zbuluar se historia e klubit dhe vizioni i trajnerit Ruben Amorim ishin faktorët kryesorë që e bindën të zgjidhte kuqezinjtë.
Mbrojtësi spanjoll, i cili nënshkroi kontratë deri në vitin 2031 pas përfundimit të transferimit prej 30 milionë eurosh nga Lazio, dha intervistën e tij të parë për kanalet zyrtare të klubit. “Zgjodha Milanin sepse është një nga klubet më të forta në botë. Historia që ka dhe gjithçka që e rrethon ishte pikërisht ajo që më duhej për të arritur në një nivel të caktuar”, tha Gila.
“Mund të arrijmë shumë gjëra të mëdha. Kemi shumë objektiva dhe premtoj se do ta ndihmoj ekipin duke dhënë maksimumin tim. Është një sfidë e mrekullueshme për mua. Idetë e trajnerit dhe gjithçka që përfaqëson Milani më shtynë të zgjedh Rossonerët”, shtoi ai. Qendërmbrojtësi nuk e fshehu entuziazmin për transferimin dhe mundësinë për të punuar me trajnerin e ri.
“Isha shumë i emocionuar që iu bashkova një klubi kaq të madh. Këto kanë qenë ditë të mbushura me emocione pozitive dhe jam shumë i lumtur” , shtoi ai. “J am një person që përshtatem lehtë kudo dhe jam i bindur se do të integrohem shumë mirë me shokët e skuadrës. Jam vërtet kurioz ta shoh Milanellon. Të hënën do të jenë edhe tifozët aty.
Mezi pres të takoj trajnerin dhe të shoh mënyrën se si punon”, u shpreh ai. Gila bëhet përforcimi i dytë i madh i Milanit gjatë kësaj vere, pas transferimit rekord të Gonçalo Ramosit, dhe është pjesë e rindërtimit të repartit defensiv që Ruben Amorim e ka vendosur si prioritet që nga marrja e drejtimit të skuadrës.
