Gërvalla: Krijimi i Byrosë domosdoshmëri, pasuria e pajustifikueshme t’u kthehet qytetarëve

0%

Shpërndaje në: Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet, teksa ka njoftuar se sot përfundon afati i konsultimit publik për të. Në Facebook, Gërvalla është zotuar se asnjë koment s’do të mbetet pa u trajtuar.

Teksa e ka cilësuar domosdoshmëri për shtetin, ajo ka thënë se pasuria e pajustifikueshme duhet t’u kthehet qytetarëve. “Krijimi i kësaj Byroje është një domosdoshmëri shtetërore dhe një zotim i qartë për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.

Pasuria e pajustifikueshme, e krijuar mbi kurrizin, mundin dhe djersën e qytetarëve të Republikës, nuk mund të mbetet e paprekshme. Ajo duhet të verifikohet, të konfiskohet kur nuk justifikohet me burime të ligjshme dhe t’u kthehet qytetarëve, të cilëve u takon. Sepse në Republikën e Kosovës ligji nuk njeh të paprekshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Askush, bash askush, nuk qëndron mbi ligjin, dhe askush nuk mund të pasurohet në kurriz të interesit publik pa u përballur me drejtësinë”, ka thënë ajo. Ligji për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme kaloi në prill, pasi versioni paraprak ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në prezantimin e Projektligjit në Qeveri, Gërvalla pati thënë se kanë marrë për bazë vërejtjet e Kushtetueses. Kjo byro parashihet të ketë zyrtarë që verifikojnë pasuritë për të cilat dyshohet se janë fituar jashtëligjshëm nga zyrtarët publikë. Nëse ajo përcaktohet si e pajustifikueshme, parashihet konfiskimi i pasurisë nga Gjykatat.

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar këtë projektligj si një nga prioritetet e ekzekutivit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.

Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Gjykata më e lartë në Kosovë në vendimin e janarit se e shfuqizoi ligjin për Byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.

Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

Burimi: Koha