Nga: Naim Bujupi Shpërndaje në: Për Kosovën, debati për gazin nuk duhet të mbyllet me slogane. Ai duhet të hapet me pyetje strategjike: çfarë infrastrukture i duhet vendit, kush e mbështet financiarisht, çfarë problemi zgjidh gazi në sistem dhe si mbrohet konsumatori nga barra e një vendimi afatgjatë.
Nëse gazi trajtohet si pjesë e një arkitekture më të gjerë energjetike dhe gjeopolitike, atëherë meriton diskutim serioz dhe institucional. Rruga e matur për Kosovën nuk është pranimi i verbër, por as refuzimi refleksiv.
Rruga e matur është angazhimi serioz me partnerët, publikimi i analizave, krahasimi real me alternativat dhe kërkesa që një projekt që paraqitet si strategjik të ketë edhe mbështetje strategjike në financim, infrastrukturë, ulje të riskut dhe mbrojtje të konsumatorit.
Kjo është qasja që i shërben interesit afatgjatë të Kosovës Debati për gazin natyror në Kosovë nuk është thjesht debat për një burim tjetër të energjisë.
Është debat për sigurinë e furnizimit, për koston që mund të bartet te konsumatorët, për tranzicionin energjetik dhe për mënyrën se si Kosova i lexon marrëdhëniet e saj strategjike me aleatët kryesorë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj debati nuk duhet të reduktohet në “pro” apo “kundër” gazit.
Kjo e varfëron debatin dhe e kthen një vendim afatgjatë në pozicion politik afatshkurtër. Pyetja e drejtë është më konkrete: në cilat kushte gazi mund t’i shërbejë sistemit energjetik të Kosovës dhe në cilat kushte mund të kthehet në infrastrukturë të kushtueshme pa përdorim të mjaftueshëm? Këto ditë kemi dëgjuar diskurse paradoksale.
Nga njëra anë, gazi paraqitet si burim i shtrenjtë krahasuar me burimet tjera të energjisë. Nga ana tjetër, thuhet se duhet parë si projekt për dekadat e ardhshme. Të dyja mund të diskutohen, por nuk mund të përzihen.
Nëse flasim për një vendim që do të ketë ndikim për dekada, atëherë nuk mund të gjykohet me çmimin e sotëm të gazit, e as me çmimet ekstreme të periudhës së krizës globale energjetike. Duhet të vlerësohet me skenarë afatgjatë: kosto e infrastruktures, siguri furnizimi, fleksibilitet të sistemit, varësi nga importi, ndikim në tarifa dhe krahasim me alternativat tjera të energjisë.
Kjo nuk do të thotë se gazi duhet të pranohet pa kushte. Por do të thotë se nuk duhet të kundërshtohet me vlerësime të shpejta. Në sektorin e energjisë vendimet e gabuara nuk paguhen vetëm nga qeveritë, ato paguhen për vite nga qytetarët dhe bizneset. Po ashtu, vendimet e vonuara apo të paanalizuara mund ta lënë sistemin pa fleksibilitet pikërisht në momentin kur i nevojitet më së shumti.
Dokumentet vendore e bëjnë të qartë që Kosova nuk ka rrjet të transmisionit të gazit dhe nuk ka treg funksional të gazit natyror. Strategjia e Energjisë 2022–2031 e trajton gazin si mundësi që mund të lidhet me interkoneksione rajonale, TAP-in ose terminalet LNG përmes vendeve fqinje, por jo si realitet të gatshëm.
Kjo do të thotë se gazi nuk mund të paraqitet si zgjidhje e shpejtë për dimrin e ardhshëm apo për krizën e radhës. Çdo opsion me gaz do të ishte projekt shumëvjeçar, me kosto kapitale, rregullim ligjor, kapacitete teknike dhe kontrata të furnizimit. Të dhënat e sektorit tregojnë pse debati për sigurinë e furnizimit është real dhe i domosdoshëm.
Në vitin 2025, prodhimi vendor i energjisë elektrike mbuloi afërsisht tre të katërtat e kërkesës së përgjithshme të sistemit elektroenergjetik, ndërsa pjesa tjetër u mbulua përmes importeve dhe mekanizmave të tregut. Rreth 90 për qind e prodhimit vendor vazhdon të vijë nga termocentralet, ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet dhe burimet e ripërtëritshme.
Pra, Kosova ende ka një sistem të dominuar nga kapacitetet termike dhe me ekspozim të dukshëm ndaj importit, sidomos në periudha me ngarkesë të lartë gjatë dimrit. Por sfida nuk është vetëm energjia vjetore e matur në GWh. Sfida është edhe te kapacitet elektroenergjetike që duhet të jetë në dispozicion në orët kritike kur ngarkesa është me e lartë se prodhimi vendor.
Plani dhjetëvjeçar i zhvillimit të transmisionit e trajton pikun e ngarkesës si element vendimtar për dimensionimin e rrjetit dhe sigurinë e furnizimit. Kosova tashmë operon me pik dimëror afër 1.5 GW, ndërsa skenarët afatgjatë tregojnë se sistemi do të mbetet nën këtë presion edhe në vitet e ardhshme.
Me fjalë të thjeshta: edhe kur bilanci vjetor duket i menaxhueshëm, orët kritike të dimrit mbeten momenti kur sistemi testohet më së shumti. Në të njëjtën kohë, rruga zyrtare e Kosovës për fleksibilitet nuk është “gas-first”.
Strategjia e Energjisë dhe drafti i Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë e vendosin theksin te burimet e ripërtëritshme, bateritë, efiçienca, integrimi rajonal, rezervat dhe modernizimi i rrjetit. Deri në vitin 2031 synohen kapacitete të konsiderueshme të reja nga dielli dhe era (1.7GW), si dhe së paku 170 MW bateri për balancim dhe integrim të burimeve të ripërtëritshme.
Kjo do të thotë se Kosova po hyn në një sistem ku fleksibiliteti bëhet po aq i rëndësishëm sa vetë prodhimi. Pikërisht këtu duhet vendosur edhe gazi. Ai nuk duhet parë si rrjet që shtrihet kudo vetëm pse ekziston mundësia politike për ta sjellë, por as nuk duhet përjashtuar vetëm pse është burim fosil. Gazi duhet të gjykohet sipas funksionit që mund të kryejë në sistem.
Në Kosovë, përdorimi më i arsyeshëm i tij do të ishte aty ku i shton sistemit siguri dhe fleksibilitet: si kapacitet balancues ose rezervë në orët e pikut, si furnizim për industri me konsum të madh, të qëndrueshëm dhe të përqendruar, si pjesë e një zgjidhjeje rajonale, ku barra e infrastrukturës ndahet me partnerë, ose në raste të veçanta, si pjesë e ngrohjes qendrore dhe kogjenerimit, nëse analizat tregojnë se ofron kosto, siguri dhe fleksibilitet më të mirë se alternativat tjera.
Nëse gazi hyn në këtë logjikë, ai mund të jetë instrument strategjik. Nëse hyn si projekt i përgjithshëm pa kërkesë të qartë, rrezikon të bëhet barrë afatgjatë. Nga ana tjetër, ka përdorime që duhen trajtuar me kujdes të veçantë.
Shtrirja e gjerë për amvisëri do të kërkonte rrjet të kushtueshëm, kohë të gjatë dhe konsum të shpërndarë, në një periudhë kur Evropa po shkon drejt uljes së përdorimit të gazit në ndërtesa.
Po ashtu, një termocentral i madh me gaz për ngarkesë bazë brenda Kosovës do të duhej të arsyetohej jashtëzakonisht mirë, sepse do të krijonte varësi të re importuese dhe mund të konkurronte kapitalin që i duhet rrjetit, baterive, efiçiencës dhe burimeve të ripërtëritshme. Në raport me SHBA-në, Kosova nuk e ka luksin të mendojë vetëm si kontabilist i çmimit të sotëm të energjisë.
Disa vendime strategjike peshohen edhe me siguri, aleanca, diversifikim dhe pozitë gjeopolitike. Kjo nuk do të thotë se kostoja nuk ka rëndësi, përkundrazi ajo duhet të jetë në qendër të analizës.
Por për një vend si Kosova që sigurinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar i ka të lidhura ngushtë me partneritetin amerikan, debati për gazin nuk mund të trajtohet si marrëdhënie e thjeshtë furnizues-klient.
Prandaj nëse SHBA-ja e sheh LNG-në dhe korridoret rajonale të gazit si pjesë të sigurisë energjetike të rajonit, Kosova duhet të përgjigjet me seriozitet shtetëror: jo me pranim të verbër, jo me refuzim refleksiv, por me opsione të qarta.
Diskutimi me SHBA-në duhet të përfshijë mundësinë që së bashku me partnerët amerikanë të mbështetet dhe të ndërtohet infrastruktura e gazit që Kosovës i mungon, të ulet risku kapital i një investimi të tillë dhe të sigurohet që konsumatori të mos mbetet bartës i vetëm i barrës financiare të një vendimi afatgjatë.
Edhe detyrimet që burojnë nga Komuniteti i Energjisë duhet të lexohen në këtë frymë. Komuniteti i Energjisë nuk ia kërkon Kosovës të mbyllë debatin për gazin, ia kërkon që çdo vendim ta vendosë në kornizë të qartë: siguri furnizimi, treg të integruar, efiçiencë, fleksibilitet dhe tranzicion të matshëm. Nëse gazi trajtohet si projekt i izoluar politik, rrezikon të jetë i pambrojtshëm.
Por nëse shihet si pjesë e një arkitekture më të gjerë me burime të ripërtëritshme, bateri, rrjet më të fortë, bashkëpunim rajonal dhe mbështetje strategjike nga SHBA-ja, atëherë meriton analizë serioze. Detyrimet evropiane të Kosovës nuk janë argument për ta refuzuar gazin apriori, janë arsye që debati të bëhet më profesional, më transparent dhe më i matshëm.
Prandaj, debati publik duhet të jetë më i sinqertë. Politikëbërësit nuk duhet ta promovojnë gazin si përgjigje magjike, ndërsa ekspertët nuk duhet ta mbyllin diskutimin pa analizuar skenarët realë të sistemit.
Fillimisht duhet të organizohen forume profesionale me pjesëmarrje ndërkombëtare, ku të ftohen vende me përvojë në gaz, LNG, rregullim tregu, siguri furnizimi, tranzicion energjetik dhe mbrojtje të konsumatorëve. Një debat i tillë do ta ndihmonte edhe zhvillimin e kornizës ligjore dhe rregullatore nëse Kosova vendos ta mbajë gazin si opsion strategjik.
Po aq e rëndësishme është transparenca. Nëse gazi paraqitet si projekt strategjik kombëtar, atëherë edhe analizat që e mbështesin duhet të jenë publike dhe të debatueshme: kërkesa e parashikuar, kostoja kapitale e infrastrukturës, skenarët afatgjatë të furnizimit, ndikimi i mundshëm në tarifa, përdorimi i pritshëm i gazit dhe risku nëse kërkesa del më e ulët se parashikimet.
Kjo nuk do të thotë që një projekt për dekadat e ardhshme të gjykohet me çmimin e sotëm të gazit apo të energjisë elektrike.
Përkundrazi, do të thotë që vendimi duhet të testohet me disa skenarë: çmime të ulëta, mesatare dhe të larta, kërkesë e lart dhe konservative, si dhe krahasim me alternativat si rrjeti, bateritë, efiçienca, menaxhimi i kërkesës, ngrohja qendrore dhe bashkëpunimi rajonal. Për Kosovën, debati për gazin nuk duhet të mbyllet me slogane.
Ai duhet të hapet me pyetje strategjike: çfarë infrastrukture i duhet vendit, kush e mbështet financiarisht, çfarë problemi zgjidh gazi në sistem dhe si mbrohet konsumatori nga barra e një vendimi afatgjatë. Nëse gazi trajtohet si pjesë e një arkitekture më të gjerë energjetike dhe gjeopolitike, atëherë meriton diskutim serioz dhe institucional.
Rruga e matur për Kosovën nuk është pranimi i verbër, por as refuzimi refleksiv. Rruga e matur është angazhimi serioz me partnerët, publikimi i analizave, krahasimi real me alternativat dhe kërkesa që një projekt që paraqitet si strategjik të ketë edhe mbështetje strategjike në financim, infrastrukturë, ulje të riskut dhe mbrojtje të konsumatorit.
Kjo është qasja që i shërben interesit afatgjatë të Kosovës. ( Autori ka mbi 19 vjet përvojë në sektorin e energjisë, duke përfshirë punë në institucione publike si dhe konsulencë për organizata vendore dhe ato ndërkombëtare. )
