Fermerët kosovarë të qumështit kanë nisur protestën e paralajmëruar pranë Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave dhe gjendjes në sektorin e qumështit. Protestuesit kanë sjellë edhe traktorë para objektit të ministrisë, ndërsa në shenjë revolte kanë derdhur qumësht në hyrje të institucionit.
Fermerët kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe përmirësimin e kushteve për prodhuesit e qumështit.
Vendimi për organizimin e protestës është marrë nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, e cila e ka cilësuar protestën si të domosdoshme pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat, situatë që, sipas tyre, rrezikon seriozisht ekzistencën e shumë prodhuesve vendorë.
Protesta vjen edhe pas mbylljes së përkohshme të fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita” në Istog, pas një aksioni të autoriteteve.
Përmes protestës, ata kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa të menjëhershme për tejkalimin e krizës dhe kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: -rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat; – publikimin urgjent të rezultateve të analizave, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi cilësinë e produkteve vendore; – rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, duke theksuar se ulja e çmimit po i çon shumë ferma drejt falimentimit.
Ndërkohë, protesta po zhvillohet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Telegrafi do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet.
