Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur statistikat për aksidentet në komunikacion dhe masat ndëshkuese të ndërmarra gjatë periudhës janar–qershor 2026, në kuadër të angazhimeve për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor. Sipas të dhënave, numri i aksidenteve ka shënuar rënie, ndërsa janë rritur gjobat dhe heqjet e patentë-shoferëve.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 823 aksidente, krahasuar me 947 në vitin 2025. Ndërsa janë shqiptuar 36 mijë e 51 gjoba, 11.1 për qind më shumë se një vit më parë.
Sipas policisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh parandaluese dhe kontrolle të shtuara në komunikacion, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e respektimit të rregullave të trafikut.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore, duke raportuar çdo kundërvajtje apo shkelje të rregullave të komunikacionit. Qytetarët mund t’i raportojnë rastet: Në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës; përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”; Në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Policia ka garantuar se çdo raportim do të trajtohet me konfidencialitet të plotë, duke siguruar mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve. Institucioni ka publikuar edhe një tabelë krahasuese me të dhënat për aksidentet dhe masat ndëshkuese për periudhën janar–qershor 2026, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Grafika
