Federata e Argjentinës po hetohet

0%

Argjentina po dominon titujt kryesorë si brenda ashtu edhe jashtë fushës gjatë Kupës së Botës 2026. “La Albiceleste” siguroi kualifikimin në çerekfinale pas fitores dramatike 3-2 ndaj Egjiptit në 1/8 e finales. Megjithatë, ndeshja u shoqërua me polemika të shumta.

VAR-i anuloi një gol të Egjiptit për shkak të një faulli në fillim të aksionit, ndërsa në golin vendimtar të Enzo Fernandez në kohën shtesë nuk ndërhyri, pavarësisht një incidenti të ngjashëm në ndërtimin e aksionit, por me rolet e skuadrave të përmbysura.

Pas përfundimit të takimit, trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, shpërtheu me akuza të forta ndaj FIFA-s, duke deklaruar se “rezultati u ndikua nga faktorë të brendshëm në fushë dhe faktorë të jashtëm jashtë saj.” Edhe mesfushori egjiptian Mostafa Zico nuk heshti.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në intervistën pas ndeshjes ai tha se “padrejtësia ishte e qartë”, ndërsa shkoi edhe më tej duke pretenduar se “ky turne është i kurdisur.” Megjithatë, duhet theksuar se nuk ekziston asnjë provë zyrtare që mbështet pretendimet për manipulim apo parregullsi.

Ndërsa Argjentina është përgatitur për çerekfinalen ndaj Zvicrës, e cila u kualifikua pasi eliminoi Kolumbinë me penallti (4-3), Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) është përfshirë në një tjetër çështje serioze.

Sipas raportimeve të gazetës argjentinase “La Nación”, Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) po zhvillon një hetim paraprak për dyshime mbi pastrim parash që lidhen me AFA-n. Raporti thotë se hetimi, i cili ka nisur në mënyrë paraprake gjatë vitit 2025, ka filluar tashmë të mbledhë dëshmi dhe informacione mbi operacionet financiare të federatës, e drejtuar nga Claudio “Chiqui” Tapia.

Hetimi po udhëhiqet nga prokurorët federalë Patrick Gushue, pjesë e Njësisë për Integritetin Bankar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, dhe Christopher Ting nga Washington DC.

Në hetim është përfshirë edhe Michael Berger, prokuror në Distriktin Jugor të Floridës, i cili më parë ishte pjesë e ekipit që siguroi dënimin për pastrim parash të ish-kontrollorit të përgjithshëm të Ekuadorit, Carlos Ramón Polit Faggioni, në Miami.

Sipas raportit, autoritetet amerikane po hetojnë transaksione që përfshijnë rreth 300 milionë dollarë, për të përcaktuar nëse ato mund të përbëjnë vepra penale si pastrim parash ose mashtrim që bien nën juridiksionin e SHBA-së. “La Nación” raporton se një nga takimet e hetuesve ishte me biznesmenin Guillermo Tofoni, i cili zgjati rreth tre orë.

Po ashtu, FBI-ja thuhet se po kërkon dëshmitarë që mund të kenë njohuri të drejtpërdrejta mbi aktivitetet e AFA-së gjatë periudhës kur federata drejtohej nga Claudio Tapia dhe Pablo Toviggino. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e marrjes në pyetje të ish-zyrtarëve të qeverisë së presidentit Javier Milei.

Kjo sepse ata mund të kenë pasur qasje në informacione të ndjeshme mbi aktivitetet e AFA-së gjatë bashkëpunimit me kompaninë “TourProdEnter LLC”, në pronësi të producentit të teatrit Javier Faroni, gjatë periudhës që po hetohet. Kjo kompani shërbente si ndërmjetëse për mbledhjen e të ardhurave nga kontratat që AFA kishte me sponsorë dhe kompani të tjera.

Sipas dokumenteve të siguruara dhe analizuara nga “La Nación”, Javier Faroni dhe bashkëshortja e tij Erica Gillette dyshohet se kanë lëvizur qindra miliona dollarë përmes llogarive bankare të hapura në pesë institucione financiare amerikane. Mes tyre përmenden “Citibank”, “Synovus”, “Bank of America”, “JP Morgan” dhe “PNC Bank”.

Dokumentet tregojnë se “TourProdEnter LLC” ka administruar të paktën 260 milionë dollarë të ardhura nga AFA, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre mund të lidhet drejtpërdrejt me shpenzimet operative gjatë drejtimit të Claudio Tapias që nga viti 2017.

Raportohet gjithashtu se rreth 57 milionë dollarë janë shpërndarë tek individë dhe kompani të ndryshme, pa ndonjë shpjegim të qartë apo të dokumentuar për arsyen e këtyre pagesave. Madje, disa nga transfertat bankare thuhet se janë bërë drejt kompanive të kontrolluara nga persona që kanë përfituar ndihmë sociale dhe që banojnë në Buenos Aires ose Bariloche.

Transaksione të tjera financiare lidhen drejtpërdrejt me Pablo Toviggino dhe familjen e tij, si edhe me atë që përshkruhet si një “udhërrëfyes shpirtëror” i Kombëtares së Argjentinës. Nuk është hera e parë që AFA vihet nën vëzhgimin e autoriteteve amerikane.

Në shtator të vitit 2024, Ministria e Sigurisë së Argjentinës, e drejtuar atëherë nga Patricia Bullrich, u kishte dorëzuar autoriteteve amerikane informacione mbi rreziqe të mundshme që lidhen me AFA-n. Në atë kohë, FBI-ja kishte vlerësuar se nuk kishte baza të mjaftueshme për të hapur një hetim penal në SHBA. Tani, megjithatë, situata duket se ka ndryshuar.

Hetimi paraprak që po zhvillohet aktualisht do të shërbejë për të përcaktuar nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për nisjen e një hetimi penal zyrtar nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara.

Burimi: Bota Sot