Kryeministri britanik në dorëheqje, Sir Keir Starmer, ka marrë dhuratë një revole të personalizuar nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë samitit të NATO-s. Arma, në të cilën ishte gdhendur emri i Starmerit, ishte pjesë e një serie dhuratash të ngjashme që iu dhanë liderëve të shteteve pjesëmarrëse në samit.
Megjithatë, revolja nuk është sjellë në Mbretërinë e Bashkuar dhe aktualisht ndodhet në kujdesin e zyrtarëve britanikë në Turqi. Ajo pritet të çaktivizohet para se të dërgohet në Britani. Edhe pse presidenti Erdogan hoqi kufizimet për eksportin e dhuratës, arma mbeti në Turqi pasi importimi i një arme funksionale në Mbretërinë e Bashkuar është i ndaluar me ligj.
Zyra e kryeministrit britanik nuk ka publikuar fotografi të revoles, raporton BBC. Gjatë samitit, Starmer dhe Erdogan nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, e cila synon të forcojë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës mes dy vendeve. Pas përfundimit të samitit, Starmer deklaroi se aleanca doli më e fortë dhe më e bashkuar nga takimi.
“Ky ka qenë një samit i mirë. Arritëm atë që synonim, unitetin. Është jashtëzakonisht e rëndësishme ta kemi atë, veçanërisht në kohën kur po zhvillohen konfliktet në Ukrainë dhe Iran”, tha ai. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
