Pas eliminimit nga Kupa e Botës 2026, disa kombëtare kanë nisur ndryshimet në pankinë, duke hapur një kapitull të ri. Mes tyre është edhe Portugalia, e cila po përgatitet për një epokë të re pas zhgënjimit ndaj Spanjës.
Humbja 1-0 në fazën me eliminim direkt i dha fund aventurës së Roberto Martínez në drejtimin e skuadrës, ndërsa trajneri kishte lënë të kuptohej se vazhdimi i bashkëpunimit do të ishte i vështirë pas këtij rezultati. Sipas mediave portugeze, Federata ka arritur marrëveshjen me Jorge Jesus, i cili pritet të marrë drejtimin e kombëtares deri në vitin 2030.
Tekniku portugez vjen pas suksesit me Al-Nassr në Arabinë Saudite, ku fitoi kampionatin së bashku me Cristiano Ronaldon. Ndërkohë, për stafin teknik përmendet edhe emri i Pepe, ish-mbrojtësi i kombëtares. Ndryshim edhe në Kroaci. Zlatko Daliç ka dhënë dorëheqjen pas nëntë vitesh në drejtimin e kombëtares.
Gjatë epokës së tij, Kroacia arriti rezultatet më të mëdha në histori, vendin e dytë në Botërorin 2018 dhe vendin e tretë në Botërorin 2022 në Katar. Mes kandidatëve për ta zëvendësuar janë Slaven Bilić, ish-trajneri i Kroacisë nga viti 2006 deri në 2012, Ivica Oliq, trajneri aktual i U-21, si dhe Krunoslav Jurčić dhe Vedran Ćorluka. Edhe Meksika hap një kapitull të ri.
Pas eliminimit ndaj Anglisë, përfundon aventura e tretë e Javier Aguirre në drejtimin e kombëtares. Federata meksikane ka vendosur të besojë te Rafael Márquez.
Ish-kapiteni i Meksikës dhe një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në historinë e kombëtares, me pesë pjesëmarrje në Botëror, merr përsipër sfidën për të hapur një kapitull të ri dhe për të ndërtuar të ardhmen e futbollit meksikan. Në anën tjetër, ka edhe konfirmime.
Carlo Ancelotti do të vazhdojë të jetë trajner i Brazilit deri në vitin 2030, pavarësisht eliminimit zhgënjyes nga Norvegjia në Botëror.
Vendimi i Federatës braziliane ka ndarë opinionin publik: një pjesë e tifozëve dhe ish-lojtarëve kërkojnë largimin e tij, duke e konsideruar përgjegjës për dështimin, ndërsa të tjerë besojnë se problemet e Seleçaos lidhen edhe me mungesën e personalitetit dhe përgjegjësisë nga ana e lojtarëve.
Federata ka zgjedhur të vazhdojë me eksperiencën e trajnerit italian, me objektivin për të rikthyer Brazilin në nivelet më të larta në ciklin drejt Botërorit 2030. Rinovim edhe në Egjipt për Hossam Hassan dhe vëllain e tij binjak Ibrahim Hassan, respektivisht trajner dhe drejtor sportiv i kombëtares.
Federata egjiptiane ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me Hossam Hassan, pavarësisht eliminimit ndaj Argjentinës, rezultat që kishte hapur debate të shumta në vend. Megjithatë, drejtuesit kanë zgjedhur të vazhdojnë me të njëjtin projekt, me marrëveshjen e re që pritet të zgjasë deri në vitin 2030.
