Një incident i shoqëruar me fyerje dhe kanosje është raportuar në një pompë derivatesh në fshatin Zupç të Zubin Potokut, ku pronari pretendon se është kërcënuar nga një klient pas furnizimit me karburant, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ankues është A. D., rreth 60-vjeçar, pronar i pompës “Sheriff Oil”, i cili ka denoncuar rastin në Polici një ditë pas incidentit.
Sipas deklarimit të tij, më 2 korrik, rreth orës , dy persona kanë shkuar në pompë për t’u furnizuar me derivate. Pas përfundimit të furnizimit, njëri prej tyre, i identifikuar si Besnik Tahiri, rreth 50-vjeçar, dyshohet se e ka fyer dhe kanosur verbalisht brenda objektit.
Policia ka intervistuar ankuesin dhe të dyshuarin, ndërsa personi i dytë që ishte i pranishëm gjatë incidentit ende nuk është identifikuar dhe pritet të intervistohet në kuadër të hetimeve. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa Besnik Tahiri është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
