Luka Modriç i ka dhënë lamtumirën Kupës së Botës, pasi eliminimi përballë Portugalisë shënoi edhe turneun e fundit madhor të tij me fanellën e Kroacisë. Por mesfushori kroat nuk e ka vendosur ende nëse do ta mbyllë edhe me futbollin e luajtur dhe përkundrazi, ka dhënë sinjale pozitive se mund të vazhdojë me Milanin për një tjetër vit.
Sipas “Gazzetta Dello Sport”, ka qenë vetë presidenti Xherri Kardinale ai i cili i ka shprehur dëshirën futbollistit kroat që ta ketë në klub edhe për sezonin e ardhshëm, ndonëse palët nuk aktivizuan në fundin e qershorit klauzolën që kishin në marrëveshjen ekzistuese mes tyre.
Më pas, ka qenë edhe trajneri Ruben Amorim ai që ka komunikuar me lojtarin për t’i shprehur të njëjtën dëshirë, si për t’i treguar se te Milani e presin krahëhapur. Modriç nuk ka kthyer përgjigje përfundimtare, por duket se ka ndryshuar qëndrimin e prerë që kishte deri pak javë më parë se kapitulli i tij te Milani ishte mbyllur.
Ai ka kërkuar disa ditë kohë para se të kthejë përgjigje, i ndërgjegjshëm që te Real Madrid e presin krahëhapur në një rol drejtuesi. Por sipas gazetës italiane, gjasat janë që kroati të vendosë për një tjetër vit me kuqezinjtë, për të fituar një vend në Ligën e Kampioneve, para se të varë përfundimisht këpucët në gozhdë.
