Një zhvillim i pazakontë ka shoqëruar hetimet për vrasjen e rëndë që tronditi Ferizajn mbrëmjen e së dielës, ku babë e bijë kanë përfunduar në ndalim nën dyshimin për përfshirje në krim, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë Muhamet Begisholli rreth 48 vjeç dhe vajza e tij Arjeta Roshaj rreth 24 vjeç, të dyshuar për veprën penale “ Vrasje e rëndë”.
Viktimë në këtë rast është Florim Haxhidema rreth 32 vjeç, i cili u gjet pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të objektit “ Intercon C1” , në rrugën “ Sejdi Sejdiu ” në Ferizaj. Sipas burimeve, viktima kishte një plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit.
Pranë trupit të pajetë është gjetur edhe një pistoletë, e cila së bashku me një gëzhojë është sekuestruar për ekzaminime forenzike. Sinjali mëson se banesa ku ndodhi ngjarja i përkiste Muhamet Begishollit. Në momentin e incidentit, sipas hetimeve, në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij Hanife Roshaj dhe vajza Arjeta Roshaj.
Burimet bëjnë të ditur se Arjeta Roshaj kishte pësuar gjithashtu lëndime trupore dhe është dërguar në Repartin e Psikiatrisë në QKUK, ndërsa edhe ndaj saj Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Ekskluzive | Ky është i dyshuari për vrasjen e rëndë në Ferizaj – 32-vjeçari u gjet i pajetë me plagë në kokë Ndërkohë, Hanife Roshaj, bashkëshortja e Muhamet Begishollit dhe nëna e Arjeta Roshajt, në këtë fazë të procedurës është trajtuar në cilësinë e dëshmitares dhe ende nuk është intervistuar.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Ekskluzive | Ky është 32-vjeçari që u gjet i vrarë në banesë në Ferizaj Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
