Turma të mëdha pritet të mblidhen të shtunën në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, ndërsa Bosnja shënon 31-vjetorin e gjenocidit të vitit 1995 dhe varros dhjetë viktima të identifikuara së fundmi.
Bosnja do të shënojë të shtunën 31-vjetorin e gjenocidit ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, të kryer nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995, ku dhjetë viktima të identifikuara së fundmi do të varrosen. Dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit masiv që mbahet në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.
Atyre do t’u bashkohen edhe më shumë se 6 mijë persona që kanë marrë pjesë në Marshin e Paqes në Srebrenicë, i cili ndjek në drejtim të kundërt një rrugë prej 100 kilometrash nëpër shtigje malore, të cilën mijëra burra dhe djem e përshkuan duke ikur nga ushtria serbe e Bosnjës, pasi ajo mori kontrollin mbi Srebrenicën në lindje të Bosnjës.
Në ditët pas 11 korrikut 1995, më shumë se 8 mijë boshnjakë u vranë në një seri vrasjesh sistematike, të cilat më vonë u klasifikuan si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe vendore. Viktimat që do të varrosen këtë vit ishin të moshës nga 20 deri në 56 vjeç. Në mesin e tyre janë edhe tre burra që ishin në të njëzetat kur u vranë dhe që vetëm tani do të pushojnë në varr.
“Këta janë njerëz të pafajshëm që u vranë në zonat e Vlasenicës, Zvornikut, Bratunacit dhe Srebrenicës, mbetjet mortore të të cilëve u zbuluan vite më vonë në varreza të ndryshme masive”, tha Instituti për Personat e Pagjetur i Bosnjë dhe Hercegovinës.
Mbetjet mortore të dy viktimave u gjetën dhe u zhvarrosën që në vitin 1997, ndërsa të tjerat u zhvarrosën ndërmjet viteve 2001 dhe 2022 nga lokacionet Kamenica, Jelovacka Cesma, Budak, Glogova dhe Kamenicko Brdo. “Këtë vit përsëri, një baba më në fund do të varroset pranë djalit të tij, një vëlla pranë vëllait të tij, një i afërm pranë të afërmit të tij.
Nuko Nukic do të varroset në varrezat përkujtimore ku tashmë janë varrosur katër kushërinjtë e tij”, tha Instituti. Viktima më e re që do të varroset këtë vit është Senad Jusic, i lindur në vitin 1975. Ai u zhduk në zonën e Bratunacit dhe mbetjet e tij u zhvarrosën në vitin 2022 në lokacionin Kamenicko Brdo.
Ai do të varroset pranë vëllait të tij, Dzemail, i cili u varros në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në vitin 2012. Viktima më e vjetër është Ramo Dautovic, i lindur në vitin 1939 në Srebrenicë. Ai u zhduk në zonën e Zvornikut. Mbetjet e tij u zhvarrosën në vitin 2001 pas zbulimit të varrezës masive Kamenica–CanCari dhe ai do të varroset pranë vëllait të tij, Juso.
Projekti i Identifikimit të Podrinjes aktualisht mban mbetjet mortore të dhjetë viktimave të tjera të identifikuara, familjet e të cilave ende nuk kanë dhënë pëlqimin për varrim, si dhe mbetjet e 36 viktimave të identifikuara përmes analizës së ADN-së, por familjet e të cilave ende nuk e kanë përfunduar procesin zyrtar të identifikimit.
“Arsyeja kryesore pse familjet ende po e shtyjnë identifikimin zyrtar dhe varrimin është se mbetjet skeletore të viktimave janë të paplota.
Shumë prej tyre zgjedhin të presin me shpresën e dhimbshme se do të zbulohen varreza të reja masive dhe se do të gjendet të paktën edhe një kockë tjetër, duke u mundësuar atyre të varrosin mbetje më të plota të të afërmve të tyre”, tha Instituti për Personat e Pagjetur.
Instituti shtoi se kërkimet vazhdojnë për rreth 900 viktima të gjenocidit në Srebrenicë që ende rezultojnë të zhdukur, si dhe për viktimat e tjera të mbetura nga lufta. Gjithsej 6,772 viktima të gjenocidit deri më tani janë varrosur në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës. Edhe 250 të tjera janë varrosur në varreza lokale, në përputhje me dëshirat e familjarëve të mbijetuar.
Gjatë 12 muajve të fundit, Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës ka ngritur dy aktakuza për gjenocidin e kryer në korrik të vitit 1995, ndërsa gjatë së njëjtës periudhë gjyqësori i Serbisë ka nxjerrë një vendim për krimet e kryera në Srebrenicë./ Balkan Insight
