Fitorja dramatike 2-1 e Anglisë ndaj Norvegjisë në çerekfinalen e Kupës së Botës u festua jo vetëm nga tifozët, por edhe nga partneret e futbollistëve anglezë, të cilat tërhoqën vëmendjen nga tribunat e stadiumit në Miami. Në mesin e tyre ishte edhe Ashlyn Castro, e dashura e Jude Bellingham, e cila ndoqi ndeshjen së bashku me nënën e futbollistit, Denise Bellingham.
Emocionet ishin të mëdha, pasi Bellingham shënoi golin e barazimit në fundin e pjesës së parë dhe më pas golin e fitores në kohën shtesë, duke siguruar kualifikimin e Anglisë në gjysmëfinale, shkruan DailyMail. Pas ndeshjes, Ashlyn reagoi në rrjetet sociale me një fjalë të vetme: “E pabesueshme”.
Në tribunë ishte edhe Tolami Benson, e fejuara e Bukayo Saka, si dhe Kate Kane, bashkëshortja e kapitenit Harry Kane, Ellie Alderson, partnerja e Ollie Watkins, dhe Megan Pickford, bashkëshortja e portierit Jordan Pickford. Të gjitha u panë duke mbështetur “Tre Luanët”, ndërsa ndanë momente nga atmosfera festive edhe në rrjetet sociale.
Pas suksesit të Anglisë, reagoi edhe Princi William, president i Federatës Angleze të Futbollit, i cili përgëzoi skuadrën për paraqitjen, duke e cilësuar atë një “ekip të veçantë” dhe duke shprehur besimin se kualifikimi në gjysmëfinale ishte plotësisht i merituar.
