Një operacion i Policisë së Vlorës ka goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat turistike të qytetit. Pesë persona, mes tyre dy shtetas italianë, janë arrestuar në flagrancë, ndërsa janë sekuestruar rreth 700 doza të llojeve të ndryshme të drogës, të cilat dyshohet se ishin destinuar për shitje në plazhe dhe lokale gjatë sezonit turistik.
Njoftimi i Policisë Finalizohet operacioni policor i koduar “WEST”, për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 5 shtetas, nga të cilët 2 janë shtetas italianë. Sekuestrohen 700 doza të lëndëve narkotike të llojeve “Tusi”, “Ketaminë”, “MDMA”, “Kokainë”, “Ekstazi” dhe “Kanabis”.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, lidhur me disa shtetas që transportonin lëndë të ndryshme narkotike me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Vlorës, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, me mbështetjen e shërbimeve operacionale të DVP Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “WEST”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit N. K., 20 vjeç, banues në Lezhë; R. H., 20 vjeç, banues në Lezhë; M. M., 23 vjeç, banues në Lezhë; C. L., 42 vjeç, banues në Romë, Itali, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo, Itali.
Këta shtetas u konstatuan në zonën e Zvërnecit dhe, gjatë kontrollit fizik të tyre, të automjetit që përdornin, si dhe të banesës ku qëndronin, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, gati për shitje, një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 8 aparate celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas i shisnin lëndët narkotike në plazhe dhe lokale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “P rodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
