Policia e Kosovës ka njoftuar më se ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në kultivimin e bimëve narkotike në Podujevë. Sipas Policisë, të njëjtit janë zënë në flagrancë duke u përkujdesur për bimët e dyshuara të mbjella në një plantacion, në sasi prej 201 copësh.
“Me datën nga njësitë përkatëse policore është realizuar një plan taktik ku janë identifikuar dhe lokalizuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë zënë në flagrancë duke u përkujdesur për bimët e dyshuara të mbjellura në një plantacion, në sasi prej 201 copësh”- ka njoftuar Policia Tutje thuhet se lidhur me rastin është informuar prokurori kompetent, në konsultim me të cilin janë marrë mostra të nevojshme nga bimët e mbjella, ndërsa, siç thuhet, pjesa tjetër e tyre është shkatërruar në vendin e ngjarjes.
Policia ka njoftuar se lidhur me rastin janë kryer bastisje në shtepitë e të dyshaurve. “Po ashtu me qëllim të sigurimit të provave relevante për rastin, janë kryer dy bastisje në shtëpitë e të dyshuarve të lartcekur, me ç’rast në njërën nga to është gjetur një qese e vogël e mbushur me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë në peshë prej 1.7 gramë”- thuhet në njoftim.
Ndërsa është bërë e ditur se në vendin e ngjarjes është bërë fotografimi dhe konfiskimi i dëshmive të gjetura si prova materiale, ndërsa të dyshuarit e arrestuar pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
