27 muaj burgim për infermieren që sulmoi të moshuarën në Pejë

0%

Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Aurona Pelajt, e akuzuar për veprën penale “Sulm”, ndaj të moshuarës në shtëpinë e kujdesit në Pejë, në vitin 2022, ndërsa dy të akuzuarat e tjera i ka liruar nga akuza.

Vendimin për Pelajn e ka mirëpritur avokati i familjes të së moshuarës, i cili tha se për lirimin e dy të akuzuarve të tjera Altina Rexhepi dhe Remzije Kuçi do të paraqesin ankesë në Apel Aktgjykim dënues ka shpallur Gjykata Themelore në Pejë ndaj Aurona Pelajt, e akuzuar për sulmin ndaj të moshuarës në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë, në vitin 2022.

Sipas aktakuzës, e pandehura Pelaj ngarkohej për veprën penale “Sulmi”, pasi ka sulmuar të moshuarën që ishte e diagnostifikuar me Alzeimer, e që ishte vendosur në ketë institucion për përkujdesje. Për këtë ajo është dënuar të hënën me 2 vjet e tre muaj burgim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“E pandehura Aurona shpallet fajtore për shkak se në shtëpinë e kujdesit me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, që për shkak të moshës së shtyrë, përkatësisht diagnozës Alzeimer ishte e vendosur në këtë institucion për përkujdesje, në atë mënyrë që derisa e pandehura ishte e angazhuar si infermiere dhe ofronte përkujdesje ndaj të dëmtuarës, duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e saj të pambrojtur e kap të dëmtuarën në të dyja duart, ia kufizon mundësinë e mbrojtjes, e mbështet për muri, e godet disa herë me shuplakë në fytyrë, me çka ka kryer veprën penale sulmi, andaj Gjykata e gjykon me dënim me burgim prej 2 vjet e tre muaj, ku do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim nga data deri më datë ”, ka thënë gjyqtari i rastit Alan Taranis.

Për të pandehurën, Gjykata ka dhënë edhe dënim plotësues – ndalimin e ushtrimit të profesionit të infermieres në kohëzgjatje prej pesë vjetësh nga koha kur vendimi të marrë formë të prerë. Të akuzuara për këtë rast ishin edhe Altina Rexhepi dhe Remzije Kuçi. Mirëpo të dyja Gjykata i liroi nga akuza.

Vendimin e Gjykatës për dënim ndaj Pelajt, e ka mirëpritur Meshar Selimaj, avokat i familjes të së moshuarës. Ai ka paralajmëruar se për dy të pandehurat e tjera do të paraqesë ankesë në shkallë të dytë. Gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishin të pranishme asnjëra nga të pandehurat.

Më 4 maj të vitit 2023, Prokuroria Themelore në Pejë pati ngritur aktakuzë ndaj tri infermierëve për sulmin ndaj të moshuarës në shtëpinë e kujdesit “Orenda” në Pejë. Momenti i sulmit ndaj të moshuarës ishte incizuar dhe videoja shpejt ishte bërë virale, duke nxitur reagimin e opinionit publik.

Pas këtij rasti Oda e infermierëve të Kosovës ua pati marrë licencat infermiereve të përfshira në këtë rast. Ndaj tyre ishte caktuar një muaj paraburgim, por pas tri javësh Gjykata Supreme i pati liruar nga paraburgimi. Ndërkohë, viktima e këtij rasti ka vdekur në vitin 2024, sipas një deklarate të mëhershme të avokatit Selimaj.

Burimi: Koha