Prokuroria Speciale bëri të ditur se ka ngritur dy aktakuza në mungesë për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile. Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën e parë ndaj J.J. dhe A.S.
“Të pandehurit, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan, gjatë viteve 1998-1999 kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje. Po ashtu, ata i kanë kanosur seriozisht me vrasje”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, aktakuza e dytë u ngrit ndaj katër të pandehurave: L.S., D.L., S.A., B.S.. “Të pandehurat akuzohen se, në cilësinë e gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës 1998-1999, në bashkëkryerje me tashmë të akuzuarën N.C., i kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke u shkaktuar lëndime trupore e dhunë psikike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
