Dragusha dënohet me 2 vjet burgim, pas marrëveshjes së fajësisë në

0%

Nga: Arianita Hoti Shpërndaje në: Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Ymer Dragusha, duke e dënuar atë me dënim unik prej 2 vjet burgim lidhur me akuzën se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në zyrën e prokurimit në KEK, ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Aktgjykimi u shpall pasi Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Me dy vjet burgim është dënuar, Ymer Dragusha, pasi pranoi fajësinë për akuzën se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovë (KEK), ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri. Në të njëjtin rast akuzohen edhe ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe Isuf Zejna si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” . Pasi arriti marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale, Dragusha fitoi statusin e dëshmitarit bashkëpunues në këtë proces.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Gjykata, duke u bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, të pandehurit i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.

Gjykatësi Beqiri bëri të ditur se Dragusha u shpall fajtor për katër vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Për pikën e parë të aktakuzës ai u dënua me një vit burgim, ndërsa për pikat e dytë, të tretë dhe të katërt iu shqiptua dënim prej tetë muajsh burgim për secilën vepër.

Në bazë të rregullave për shqiptimin e dënimit unik, Gjykata vendosi që ai të vuajë dënimin prej dy vjetësh burgim. Po ashtu, Gjykata udhëzoi Avokaturën Shtetërore që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest të rregullt civil. “Pala e dëmtuar, Avokatura Shtetërore, udhëzohet që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest të rregullt civil.

Urdhërohet i akuzuari Ymer Dragusha që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të Gjykatës: Në emër të paushallit gjyqësor, paguan shumën prej 100 €. Në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit, shumën prej 100 €. Nëse konstatohet se ka pasur shpenzime të tjera, Gjykata vendos me aktvendim të veçantë”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Beqiri.

Nagip Krasniqi, Isuf Zejna dhe Ymer Dragusha akuzohen se gjatë viteve 2021-2023, me veprime të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës mbi 36 milionë euro duke kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Gjykimi ndaj Krasniqit dhe Zejnës është ende në proces.

Burimi: Koha