Shpërndaje në: Press TV, kanali në gjuhën angleze i transmetuesit shtetëror iranian IRIB, ka cituar një burim të sigurisë që ka thënë se Irani do ta mbyllë Ngushticën e Hormuzit për të gjithë trafikun detar në rast të çdo sulmi kundër vendit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, paralajmëroi se sonte do ta godasë fort Iranin.
Trumpi këtë deklaratë e ka dhënë pasi takimit me dyer të mbyllura me liderët e NATO-s, në kuadër të samitit në Turqi. Ndërkohë, agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), deklaroi se “vdekja” e marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Islamabad ishte shpallur zyrtarisht nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Më herët, një këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem të Iranit kishte paralajmëruar për “zjarr” në rajonin e Lindjes së Mesme pas komenteve të Trumpit. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm pasi Trumpi deklaroi se armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit kishte marrë fund. Nafta Brent, standardi global i referencës, është rritur me 5%, duke arritur në 80 dollarë për fuçi, raporton CNN.
Megjithëse çmimet mbeten ende nën kulmin e arritur në muajin maj, kjo rritje e re po ul qartë besimin e investitorëve, ndërsa tregjet e aksioneve në SHBA dhe në mbarë Evropën kanë shënuar rënie gjatë tregtimit.
Më herët gjatë ditës, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi një përditësim të parashikimeve të tij ekonomike, por disa prej tyre mund të jenë tashmë të tejkaluara për shkak të zhvillimeve të sotme. Raporti ishte hartuar përpara ngjarjeve të sotme.
Në të, FMN-ja kishte supozuar se Ngushtica e Hormuzit, një rrugë detare kyçe për tregtinë botërore, do të rihapej në mesin e korrikut, ndërsa situata do t’i kthehej normalitetit deri në mars 2027. Megjithatë, kjo tani duket shumë pak e mundshme.
Institucioni me ndikim, i cili synon të promovojë tregtinë dhe rritjen ekonomike globale, paralajmëroi se konflikti në Lindjen e Mesme përbën rrezikun më të afërt për ekonominë botërore. Një përshkallëzim i konfliktit midis SHBA-së dhe Iranit rrit rrezikun e inflacionit, pasi kufizimet në furnizim mund të shkaktojnë rritje të çmimeve të naftës dhe ushqimeve.
Me rritjen e çmimeve të naftës gjatë ditës së sotme, këto rreziqe tashmë kanë filluar të shfaqen.
