Djali i Osman Selmanit mohon se babai i tij e vrau një çift serb

0%

Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Një ditë pasi autoritetet serbe ia caktuan masën e paraburgimit ndaj Osman Selmanit, që u arrestua me arsyetimin se ka kryer krime lufte, djali i tij ka mohuar akuzat.

Ai ka thënë se është lehtë e vërtetueshme se babai i tij ndodhej në Maqedoni gjatë kohës për të cilën Prokuroria serbe pretendon se ai mori pjesë në vrasjen e një çifti serb në Prishtinë Djali i Osman Selmanit i ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se më në lagjen “Sofalia” në Prishtinë, ai në bashkëpunim me disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, privuan nga jeta çiftin Vladimir dhe Persa Stanisavljeviq.

Selmani u arrestua të mërkurën në pikë kufitare në Mutivodë, nën dyshimin për “Krime lufte”. E, djali i tij, Arbeni, ka thënë se në kohën kur pretendohet të jetë kryer krimi, e gjithë familja ka qenë në Maqedoni, pasi është dëbuar nga forcat serbe. “Për këtë periudhë, ne si familje më 28 mars e kemi lëshu ‘Sofalinë’, kemi shku në Mramor, në shkollën e Mramorit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga 23 maji na kanë dëbu për në Maqedoni me trenin e fundit. Kemi shku në një familje maqedonase dhe më pas kemi shku në Gërqan, dhe kemi qëndru deri me 20 qershor. Për krejt këto ka dëshmi të forta, sepse kur kemi shku në Gërqan, prindi ka dhënë dëshmi”, ka thënë Arbeni.

Arbeni ka thënë se babai i tij, që ka lindur në Luginë, për herë të fundit kur e kaloi kufirin me Serbinë, ishte në gusht të vitit të kaluar dhe se asnjëherë nuk pati telashe. “Prindi nga 2003 e këndej ka shkuar me dhjetëra herë në Medvegjë, ne Preshevë po ashtu edhe në Nish, kur e ka nxjerrë një letërnjoftim.

Hera e fundit kur kemi kalu, ka qenë në gusht të vitit 2025, kemi kalu bashkë për të shku në pushim te familjet në trojet tona dhe asgjë nuk kemi pasë”, ka thënë djali i Osman Selmanit. E juristi Ardian Bajraktari ka deklaruar se qytetarët duhet ta shmangin kalimin përmes Serbisë, meqë po kryhen arrestime pa u mbështetur në prova.

“Shpërfaqin mendësinë dhe qasjen që ka regjimi i Vuçiqit dhe autoriteteve të Serbisë kanë ndaj Kosovës. Krejt çka duhet është që qytetarët tanë t’i shmangin kalimin nëpër Serbi. Ajo që duhet të bëhet është që institucionet tona të jenë në funksion të nevojave dhe kërkesave të familjareve, në mënyrë që të argumentohen të kundërtat e pretendimeve të Serbisë”, ka thënë juristi Bajraktari.

KOHA ka kërkuar informacione edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me rastin e fundit të arrestimit në Serbi, por nuk ka marrë përgjigje. E, djali i Osman Selmanit ka thënë se asnjë nga institucionet në Kosovë nuk është interesuar për këtë rast.

“Vetëm me ambasadorin Jetishi që jam në kontakt të vazhdueshëm, me institucionet e tjera nuk jam në kontakt dhe bëj apel që të më ndihmojnë për të siguruar këto dokumente nga NATO, OSBE-ja që tregojnë që tregojnë se ku ka qenë atë kohë prindi”, ka thënë Arben Selmani.

Ministria e Brendshme e Serbisë të premten ka njoftuar se Gjykata e Lartë e Beogradit i ka caktuar një muaj paraburgim Selmanit, nën akuzën për krime lufte. Vitin e shkuar, Serbia ka arrestuar 8 qytetarë shqiptarë të Kosovës.

Ata ose kanë qenë ish-pjesëtarë të UÇK-së, ose pjesëtarët e organeve të sigurisë së Kosovës si policë e ushtarë të FSK-së, ose qytetarë serbë të cilët Beogradi zyrtar i konsideron bashkëpunëtorë të institucioneve të Kosovës.

Burimi: Koha